
Mediat spanjolle kanë zbuluar ditën e sotme detaje të tjera nga dështimi i transferimit të Niko Uilliams te Barcelona. 22-vjeçari ishte shumë pranë transferimit te katalanasit, por në momentet e fundit vendosi të rinovonte kontratën për 10 vite të tjera me Atletik Bilbao deri në vitin 2035.
Sipas prestigjozes “Sport”, një ditë para se Uilliams të firmoste me Barcelonën, në telefonin e tij mori një mesazh në “WhatsApp” nga një njeri i rëndësishëm brenda klubit katalanas, në të cilin raportohet se thuhej: “Hiq dorë nga Tainta dhe merr Horge Mendes ose Pini Zahavi për t’u përfaqësuar”.
Tainta është agjenti i Niko Uilliams dhe vëllait të tij Injaki Uilliams, ndërsa Horge Mendes dhe Pini Zahavi janë dy agjentët e tjerë që njihen për marrëdhëniet e ngushta me Barcelonën.
Si përfundim, Niko Uilliams vendosi t’i qendrojë besnik agjentit të tij dhe refuzoi të firmoste me Barcelonën, pas këtij “kushti”. Pikërisht një ditë pas këtij mesazhi, Tainta negocioi me Atletik Bilbaon dhe gjeti gjuhën e përbashkët, ndërsa ditën tjetër erdhi rinovimi mes palëve.
Lini një Përgjigje