
Superylli brazilian Vinicius Zhunior ka vënë në alarm gjigantët e Premier Ligës, pasi ka bërë të ditur se është i hapur për një largim nga Reali i Madridit.
Sipas mediave spanjolle, marrëdhëniet mes Viniciusit dhe trajnerit të ri të “Los Blancos”, Çabi Alonso, janë përkeqësuar ndjeshëm pas një përplasjeje të fortë në ndeshjen e fundit të El Clásico-s kundër Barcelonës.
Gjatë fitores së Realit ndaj Barcelonës fundjavën e kaluar, Alonso e zëvendësoi Viniciusin rreth 20 minuta para përfundimit të ndeshjes, vendim që lojtari nuk e priti aspak mirë.
Braziliani u pa i irrituar, duke pyetur trajnerin: “Unë? Unë, mister? Unë?”
Në dalje nga fusha, kamerat televizive e kapën duke thënë: “Gjithmonë unë… Po largohem nga skuadra. Më mirë të largohem.”
Edhe pse më vonë u kthye për të ndjekur minutat e fundit nga stoli, tensioni mes tij dhe Alonsos duket se ka arritur pikën e vlimit.
Sipas burimeve pranë lojtarit, Vinicius beson se raporti me trajnerin është i pariparueshëm dhe se mund të kërkojë një transferim që në merkaton e verës.
Kjo situatë ka tërhequr menjëherë interesin e klubeve më të pasura angleze, që do të ishin gati të hapnin një luftë ofertash për të siguruar shërbimet e yllit brazilian.
Që nga mbërritja e tij në Madrid, Vinicius ka shënuar 111 gola në 316 ndeshje me Realin, ndërsa ka realizuar edhe 8 gola në 43 paraqitje me kombëtaren e Brazilit.
Ai ishte heroi i finales së Ligës së Kampionëve në vitin 2022 ndaj Liverpulit dhe shënoi sërish në finalen e vitit 2024 kundër Borusias së Dortmundit, duke ndihmuar Realin të marrë trofeun e 15 europian në historinë e tij.
Në Angli, skuadra si Mançester Siti, Liverpuli, Çelsi dhe Arsenali po e ndjekin nga afër situatën.
Nëse tensionet në Madrid nuk sheshohen, verën e ardhshme mund të kemi një nga transferimet më të mëdha të dekadës.
Lini një Përgjigje