
Me rezultatin e marrë sot, për fat të keq mund të themi që Kombëtarja jonë i ka dhënë fund shpresave për të zënë vendin e dytë në grup.
Shqipëria nuk ka shkuar më shumë se barazimi 1-1 në transfertë ndaj Letonisë, në ndeshjen e katërt kualifikuese për Kupën e Botës 2026. Me rezultatin e marrë sot, për fat të keq mund të themi që Kombëtarja jonë i ka dhënë fund shpresave për të zënë vendin e dytë në grup.
Në minutën e 29 u zhbllokua rezultati, Shqipëria kaloi në avantazh. Arbër Hoxha krosoi në krah dhe pas një dyluftimi mes Manajt, portierit dhe mbrojtësit letonez, topi u përplas në këtë të fundit, Antonijs Kernomordijs, dhe përfundoi në rrjetë. UEFA në faqen e saj zyrtare e quajti autogol dhe jo gol të Manajt.
Minutat e para ishin mjaft më të mira për kuqezinjtë, por vendasit patën shansin e artë për të kaluar të parët në avantazh. Në minutën e 17, pas një kundërsulmi të shpejtë, letonezët zunë në befasi mbrojtjen tonë dhe Kumbulla pengin sulmuesin e Letonisë, Gutkovskis, brenda zonës, arbitri dha 11 metërsh.
Tomas Strakosha u kthye në hero dhe priti penalltinë e goditur nga Ikaunieks.
Kur mendohej se ndeshja do të mbyllej me fitoren e Shqipërisë, Letonia barazoi shifrat në minutën e 45+4. Pas një goditje të shpejtë nga këndi, Çernomordijs mposhti me kokë Strakoshën.
Pjesa e parë u mbyll në shifrat 1-1. Në pjesën e dytë, edhe pse kuqezinjtë dominuan lojën, nuk arritën dot të gjenin golin e avantazhit. As zëvendësimet e bëra nga Silvinjo, nuk dhanë ndonjë rezultat efektiv. Rezultati përfundimtar, Letoni-Shqipëri 1-1.
Pas 4 ndeshjesh, Shqipëria vazhdon të mbajë vendin e dytë me 5 pikë, ndërsa Serbia renditet e treta me 4 pikë, por ka dy ndeshje më pak se kuqezinjtë. Vendi i parë mbahet nga Anglia me 9 pikë, ndërsa Letonia në vendin e katërt me 4 pikë dhe mbyll Andorra me 0 pikë.
Ndeshjen e ardhshme, Shqipëria do ta luajë më 9 shtator në “Air Albania” kundër Letonisë.
Lini një Përgjigje