
Elçe ka marrë një fitore të rëndësishme 2-1 ndaj Majorkës në një përballje direkte për mbijetesë, e vlefshme për javën e 29-të në La Liga. Ndeshja u vendos në pjesën e dytë dhe u mbyll me një moment dramatik në fund, ku Vedat Muriqi gaboi nga pika e bardhë.
Pas një pjese të parë pa gola, Majorka kaloi e para në avantazh në minutën e 59-të. Pablo Torre, i huazuar nga Barcelona, realizoi me një goditje të fortë nga jashtë zonës, duke i dhënë epërsinë miqve.
Reagimi i Elçes ishte i shpejtë. Vetëm tre minuta më pas, në minutën e 62-të, Rafa Mir barazoi shifrat. Vendasit përmbysën gjithçka në minutën e 72-të, kur Tete Morente shënoi me kokë golin e dytë dhe të fitores.
Në minutat shtesë, Majorka fitoi një penallti pas ndërhyrjes së VAR-it për një prekje të topit me dorë brenda zonës. Përgjegjësinë e mori Vedat Muriqi, i cili këtë sezon ka shënuar 18 gola në kampionat.
Megjithatë, sulmuesi dardan nuk arriti të konkretizonte, pasi goditja e tij përfundoi jashtë kuadratit, duke humbur mundësinë për të siguruar një pikë për skuadrën e tij.
Me këtë fitore, Elçe ngjitet në kuotën e 29 pikëve dhe kalon Majorkën në renditje. Ndërkohë, skuadra e Muriqit zbret në vendin e 18-të me 28 pikë, duke u futur në zonën e rrezikut.
Lini një Përgjigje