TAGS-AT E JAVËS

Sport21 Mars 2026, 16:37

Nga mungesa e gjatë te mundësia e re për sulmin kuqezi, 26 golat e Mehmetit që “mbushën” hendekun 3-vjeçar mes tij dhe Silvinjos

Shkruar nga Pamfleti

Nga mungesa e gjatë te mundësia e re për sulmin kuqezi, 26 golat

Pas afro tre vitesh mungesë, sulmuesi anësor Anis Mehmeti është rikthyer në Kombëtaren shqiptare të futbollit. Herën e fundit që ai ishte pjesë e ekipit përfaqësues daton në mars të vitit 2023, kur trajneri Silvinjo e grumbulloi për herë të parë dhe e aktivizoi në tre ndeshje.

Në atë periudhë, Mehmeti mori minuta edhe në fitoren 1-3 ndaj Ishujve Faroe në transfertë, ku u aktivizua për 15 minuta. Pas këtij takimi, ai nuk u përfshi më në planet e trajnerit brazilian për një periudhë të gjatë.

Rikthimi i 25-vjeçarit në Kombëtare lidhet me situatën aktuale në repartin ofensiv. Dëmtimet e lojtarëve si Daku dhe Manaj, si edhe forma jo optimale e Brojës, kanë detyruar stafin teknik të kërkojë alternativa.

Në këtë kontekst, Mehmeti shihet si një opsion i vlefshëm, sidomos duke marrë parasysh formën e tij të mirë në nivel klubesh.

Gjatë kësaj periudhe, Mehmeti ka bërë progres në karrierën e tij, duke kaluar nga Bristol Siti tek Ipsuiçi. Ai ka shënuar 26 gola në total me klubet e tij, ndërsa vetëm këtë sezon ka realizuar 11 gola dhe ka dhënë tetë asistime.

Forma e tij e mirë dhe paraqitjet konstante e bëjnë një kandidat potencial për të kontribuar në Kombëtare, sidomos në prag të një sezoni ku Ipsuiçi synon të jetë pjesë e Premier Ligës.

Trajneri Silvinjo e konsideron Mehmetin si një lojtar ofensiv krahu, me prirje për të qenë pranë portës kundërshtare.

Mehmeti për mua është një sulmues krahu, apo edhe fantazist, por për mua është në krah. Të dy (bashkë me Muçin) janë sulmues që gjejnë portën. Në kushtet kur nuk kemi ‘pyka’, duhet të përshtatemi”, u shpreh ai.

anis mehmeti sulmuesi shqiptar

Lini një Përgjigje