TAGS-AT E JAVËS

Sport21 Mars 2026, 11:53

“Nuk qaj për mungesat”, Sylvinho për sfidën ndaj Polonisë: Janë thirrur lojtarët që më kanë bindur më shumë

Shkruar nga Pamfleti
“Nuk qaj për mungesat”, Sylvinho për sfidën ndaj
Sylvinho

Në prag të sfidës me Poloninë, e cila përcakton edhe rrugëtimin e kombëtares shqiptare drejt Kupës së Botës 2026, trajneri i kuqezinjve Sylvinho u shfaq optimist për lojtarët që ka thirrur për sfidën e 26 marsit.

“Jemi rritur profesionalisht, kemi lojtarë me nivel shumë të lartë teknik dhe uroj të shkojmë në Botëror”, tha Sylvinho.

Në konferencën për mediat, e cila u parapri nga publikimi i listës zyrtare me 26 futbollistë që do të jenë të gatshëm ndaj Polonisë, braziliani që drejton stolin e kuqezinjve tha se është i bindur për lojtarët që ka zgjedhur.

Ai u shpreh se me përzgjedhjet që ka bërë është përshtatur me situatën, duke realizuar kështu ndryshimet, por pa qarë për mungesat.

“Nuk mund të qaj për mungesat. Manaj është një futbollist emblematik për ekipin, vendin, federatën, po bënte shumë mirë. Manaj kishte një dëmtim të rëndësishëm, për fat të keq edhe Daku nuk ka asnjë minutë në 2026. Atëherë duhet të përshtatesh, të mendosh dhe rimendohesh dhe në fund të vendosësh. Kemi 2-3 lojtarë që thirren për herë të parë dhe jam shumë i lumtur padyshim edhe për ta. Sa i përket Pllanës e Pilos, prej kohësh jemi pas tyre. Ky është momenti i duhur, një ndeshje e rëndësishme, një situatë e veçantë, ku mund të shihen se si do të reagojnë. Kemi 3 ditë përgatitje për të shkuar në fushë në gjendjen më të mirë ndaj Polonisë”, tha Sylvinho.

Në vijim, tekniku i kuqezinjve tha se lojtarët e grumbulluar ishin menduar më parë, por pas dëmtinimit të Manajt u rivlerësua edhe njëherë situata.

“Muçi unë e shoh si sulmues, luan edhe në dy pozicione të tjera, është një lotjarë që shënon, ka tipare ofensive dhe më pak difensive. Mehmetin e kemi sjellë ne 3 vite më parë, është rritur e shoh si sulmues krahu është përmrësuar, Muçin e shoh si sulmues, nëse nuk ke sulmues pykë, duhet të gjesh lojtarë që të shënojë. Bajrami është ai që ka shënuar më shumë, 7 gola, Asani me 6 dhe Asllani me 4. Ka opsione të tjera përveç Manaj si Uzuni, Muçi, Mehmeti dhe Bajrami”, tha Sylvinho.

Në vijim, ai sqaroi zgjedhjet e bëra për repartin e mbrojtjes dhe argumentoi edhe mungesën e Seferit nga lista për ndeshjen e radhës.

Ai tha se aktivizimi i Pilos nuk duhet parë si provë, por si zgjidhje konkrete për ekipin. Sipas tij, lojtari ka eksperiencë, është 25 vjeç dhe paraqitet i gatshëm. Në të njëjtën linjë vendosi edhe rastin e Pllanës, për të cilin theksoi se grupi ka nevojë për një mbrojtës qendre.

Trajneri kujtoi se në grumbullimin e fundit ishte vëzhguar edhe Caka, ndërsa për këtë ndeshje u vendos që lista të zgjerohet në 26 futbollistë. Ai tha se Pllana e njeh mirë kampionatin polak, pasi aktivizohet atje, dhe se stafi e ka ndjekur prej muajsh për të vlerësuar çfarë mund të japë në këtë fazë.

Sipas tij, zgjedhja për të marrë 26 lojtarë lidhet me situatën e skuadrës dhe me nevojën për alternativa. Ai pranoi se disa futbollistë vijnë me pak minuta në këmbë, ndërsa të tjerë janë rikthyer vetëm së fundmi. Në këtë kuadër përmendi edhe Asanin, duke sqaruar se ka folur personalisht me të.

Trajneri vlerësoi angazhimin e grupit për të qenë i gatshëm në një moment që e konsideroi të rëndësishëm për ekipin kombëtar. Ai theksoi se skuadra synon të japë maksimumin për veten, për federatën dhe për Shqipërinë, pas një rruge që e cilësoi të vështirë deri në këtë pikë.

Për mungesën e Seferit, ai tha se zgjedhja lidhet me balancën e përgjithshme të listës. Sipas trajnerit, ekipi nuk mund të përfshijë të gjithë lojtarët dhe çdo ftesë lë automatikisht dikë tjetër jashtë. Ai e quajti normal debatin që shoqëron përzgjedhjet, duke theksuar se kjo ndodh edhe te kombëtaret më të mëdha.

Në shpjegimin e tij, trajneri tha se skuadra ndihet e mbuluar në mesfushë dhe në mbrojtje, ndërsa fokusi mbetet te aftësia për ta çuar ekipin më pranë zonës kundërshtare dhe për të shënuar. Ai nënvizoi se, sipas vlerësimit të stafit, grupi aktual me 26 lojtarë i jep Shqipërisë mundësinë për t’u përshtatur dhe për të synuar kualifikimin më tej.

 

sylvinho polonia kombetare

Lini një Përgjigje