
Robert Levandovski ka komentuar përballjen e ardhshme mes Polonisë dhe Shqipërisë, e vlefshme për gjysmëfinalet e fazës “play-off”, duke e cilësuar atë si një ndeshje vendimtare për objektivat e skuadrës së tij.
Kapiteni i Polonisë e konsideron këtë takim si një hap kyç drejt finales, ku fituesi do të përballet me njërën prej përfaqësueseve, Ukrainë ose Suedi, për një vend në Kupën e Botës. Sipas tij, skuadra polake do ta trajtojë këtë sfidë me seriozitetin maksimal.
“Ndeshjen me Shqipërinë po e trajtoj si një gjysmëfinale që duhet fituar. Ky është qëllimi i të gjithëve në Poloni dhe do të bëjmë çmos për ta arritur”, është shprehur Levandovski.
Sulmuesi i Barcelonës ka reaguar gjithashtu ndaj spekulimeve të fundit që lidhen me një largim të mundshëm nga kombëtarja në rast të një dështimi për kualifikim. Ai i ka mohuar këto zëra, duke theksuar se nuk e sheh këtë ndeshje si të fundit me fanelën e Polonisë.
“Nuk i qasem kësaj sfide si të ishte loja ime e fundit. Synimi është të luajmë në finale dhe të luftojmë si ekip për këtë kualifikim”, ka shtuar ai.
Lini një Përgjigje