Vangjel Zhapa, filantropi nga Labova e Madhe që ringjalli Lojërat olimpike, një kujtim i shkuar i viteve 392 të erës së re, vit kur këto lojëra u shkatërruan nga perandori romak...
Kur shkruhet e flitet për figura të ndritura shqiptare që kanë bërë emër nëpër botë, nuk mund të lësh pa përmendur Vangjel Zhapën, labovitin që ringjalli Lojërat Olimpike që ishin shuar që nga viti 392 të erës së re dhe financoi ndërtimin e kompleksit Olimpik, që është një nga mrekullitë e Greqisë.
Pallati “Zappion,” i ndërtuar me fondet e Vangjel Zhapës, është një tjetër dhuratë e tij për Ballkanin. Projekti iu besua arkitektit francez, Bulanzhe, ndërsa zbatimi inxhinierit danez, Theofil Van Hasen. Tani jemi në klimë pas Olimpike në shkallë ndërkombëtare dhe padyshim atij bamirësi në shkallë botërore ia përmendë emrin e gjithë bota.
Ne shqiptarët përveç shoqatave të Labovës dhe ndonjë bashkëpatrioti të tij, nuk e përmendim, bile as në medie dhe për më keq akoma nuk shohim një bust apo emër shkolle dhe asnjë aktivitet përvjetorësh për Vangjel Zhapën.
Ndërkohë Vangjeli, i larguar 13 vjeç nga vendlindja e tij, nuk harroi kurrë të ndihmonte edhe fshatin ku lindi. Kryesia e lëvizjes Olimpike e Shqipërisë nuk e kanë marrë në konsideratë këtë figurë, që duhet të ketë një medalje olimpike me emrin e tij. Kjo harresë urojmë të mos ketë prapavijë politike dhe nacionaliste. Çfarë është shqiptare është shqiptare dhe ne kemi të drejtë ta ngremë lart këtë figurë dinjitoze të lëvizjes olimpike në shkallë botërore. Jo më kot u futën në debat diplomatik (krizë diplomatike për 20 vjet shteti Rumun dhe ai Grek, për ta përvetësuar këtë figurë të lartë në rang botëror. Jeta e këtij laboviti, i cili u detyrua të emigrojë qysh në moshën 13 vjeçare ka qenë tepër e vështirë dhe në atë moshë ku lufta kundër pushtimit turk ishte imediate, ai rreshtohet në ushtrinë herë të Ali Pashait dhe herë të Kapedan Marko Boçarit. Por i zhgënjyer nga veprimet e disa personaliteteve ushtarake u detyrua të largohej përgjithmonë nga ushtria. Nga ky moment jetoi deri në fund të jetës në Rumani. Rastësia e bëri të pasur, pasi Mbreti i Rumanisë, Maruz, i fali tokë sepse Vangjeli i shëroi vajzën e sëmurë për vite me radhë. Bamirësi i shekullit të nëntëmbëdhjetë Vangjel Zhapa qëndron krahas personaliteteve të mëdha në Ballkan (Rumani , Greqi, Bullgari dhe Shqipëri). Fondacioni me emrin e Vangjel Zhapës, që ka emër në të gjithë Evropën duhet të veprojë edhe në vendin tonë për arsyen e thjeshtë se Vangjeli ishte shqiptar. Ai lindi në fshatin Labovë e Madhe, të Gjirokastrës. Prindërit e tij Vasili dhe Sotira Zhapa, do t’i gëzoheshin lindjes së Vangjelit pa masë, pa e ditur të ardhmen e tij. 13 vjeçar u gjend në Janinë nga ku mori një formim kulturor, që ndikoi shumë në jetën e tij. Ai është dekoruar me medaljen e argjend me motivacionin; “Për kontributin e dhënë në pavarësinë e Greqisë”, gjë që konfirmohet edhe nga ministri i Jashtëm i Greqisë, L. Deligeorges, në një shkresë që mbanë datën 31 dhjetor e ‘1890.
Pjesëmarrja e Vangjelit në kryengritjen anti turke i ra në sy të turqve, të cilët i arrestuan nënë Sotirën në një moshë të thyer dhe i plaçkitën shtëpinë. Me emrin e tij janë krenuar gjithmonë figura të shquara shqiptare, si Sami Frashëri, Mit’hat Frashëri, Jani Vreto, Kostandin Kristoforidhi etj., sa herë flitej për bamirësinë dhe krenoheshin se ishin bashkëkombas të tij. Rreth figurës së Vangjel Zhapës ka dokumentacion të bollshëm që shtrihet në kohërat brenda dy shekujve në hapësirën që i kalon kufijtë e Ballkanit. Kompleksi i kësaj figure, vështirësitë gjuhësore, vendet e shumta të aktivitetit të Vangjelit i ka bërë bibliografët që të tërhiqen ndaj kësaj figure e të mos ta çojnë deri në fund, apo të studiojnë aspekte të veçanta të personalitetit të tij.
Rumania vendi ku Vangjel Zhapa qëndroi edhe më shumë, është vendi që e ka vendosur më mirë fokusin ndaj figurës së tij. Ky personalitet u përkujtua me nderim të madh në maj të vitit 1971 me rastin e inaugurimit të Muzeut të sportit të Rumanisë.
Në Rumani Vangjeli ka sponsorizuar ndërtimin e Teatrit të Operas së Bukureshtit. Në Labovë shtëpia e tij tre kate ende mbahet mirë e ndërtuar përpara 180 vjetësh. Këto shtëpi ishin pronë e Vasil dhe Kristo Zhapës dy vëllezërve Labovitë, përkatësisht babai dhe xhaxhai i Vangjelit. Siç thamë më lart ai u shkëput nga jeta ushtarake dhe u vendos në Rumani.
Në vitin 1831, pas 18 vjetësh rikthehet për disa ditë në vendlindje në Labovë ku çmallet me të gjithë.
Në fund të vizitës , pasi mori bekimin e nënës, me karvanët e kohës u largua për në Verias (afër Selanikut) të Maqedonisë greke e cila ishte ende nën pushtimin turk. Vangjeli përpara se të largohej për në Rumani ishte në mëdyshje ose të zgjidhte Egjyptin, sepse shumë shqiptarë aty shkonin, por zgjodhi Rumaninë e cila i kishte taksat e favorshme për bujqësinë.
Në Bukuresht mbreti vendosi të pranojë ta vizitonte vajzën Vangjel Zhapa, sepse mjekët rumunë i rekomanduan t’i prisnin këmbën vajzës së mbretit. Zhapa pasi e vizitoi, i premtoi mbretit shërimin e vajzës brenda gjashtë muajsh. Vajza pas një mjekimi intensiv u ngrit në këmbë e shëruar plotësisht. Si, shpërblim, shqiptari mori në pronësi një mulli me ujë, të cilin e kishte marrë me qira edhe sipërfaqen rreth tij. Historia e pasurimit si të Vangjelit ngjanë si nëpër legjenda, ose përralla me sheikë dhe me qilimin fluturues. Nën tokën që kish marrë dhuratë Zhapa, një shoqëri e cila bënte kërkime për naftë konstatoi se pikërisht aty kishte rezerva të mëdha nafte. Bisedimet për shitjen e tokës nuk e bindën Vangjel Zhapën dhe vendos të bëhet aksioner në atë sipërmarrje të fuqishme. Të ardhurat nga nafta e bënë për pak kohë shumë të pasur shqiptarin dhe kërkohej kudo si pajtimtarët më të kërkuar ndër të gjithë pronarët e tokave. Vangjeli filloi të blinte sipërfaqe të mëdha tokash në Fundem dhe Budest. Më pas, bleu edhe pronat e pronarëve më të mëdhenj të Rumanisë si Lluika, Kasiora dhe çiflikun Broshten. Në vitin 1834 kishte kërkuar që edhe kushëriri i tij, Kostandini, të shkonte në Rumani. Me ndihmën e tij bleu tërë sipërfaqet e tokave bujqësore. Në vitin 1860, Zhapa kishte rreth 66 çiflig me të ardhura vjetore 1500 napolona floriri secili. Më pas, pasurisë së tij i shtohen edhe fabrika e alkoolit, dhe një mulli me 12 gurë, që për nga kapaciteti i bluarjes, ishte i vetmi në Rumani. Rezidenca e shqiptarit ishte çifligu në Broshten. Ndërtesa ishte katër-kat dhe rrethohej me një mur 2 metra të lartë. I pajisur me kulla vrojtimi. Brenda mureve gjendej një livadh i madh me pemë frutore, lule të zgjedhura që e bënin ambientin rreth e rrotull më të këndshëm më të bukur. Rezidenca ruhej me një gardë shqiptarësh prej 100 personash, veshur me kostume kombëtare, fustanella dhe këmisha të bardha mëngë gjëra, që i vishnin për ditë festash bashkëpatriotët e vet të Rëzës,, Tepelenë.
Rezidenca kishte formën e një “fortese dake” e vendosur në një fushë të hapur dhe shihej nga larg. Vendqëndrimi i Zhapës, ndodhej 60 kilometra në veri të Bukureshtit. Në ndërtesën e vet Zhapa kishte bibliotekën e tij, shumë të pasur me libra që ishin në përputhje me formimin e tij iluminist. Vend të rëndësishëm në bibliotekë zinin autorët e letërsisë greko-latine, që mendohet t’i ketë blerë në Paris, në kohën që shkoi për të studiuar.
Shqiptari i emigruar Vangjel Zhapa, tashmë bamirës, kishte synime për arsimimin e vajzave me virtytet e moralit të shoqërisë moderne, pasi mesjeta i kishte lënë të ndrydhura. Zhapa bën projektet për çeljen e shkollave femërore në Kostandinopojë, Adrianopojë dhe në Labovë. Nuk mungojnë edhe ndihmat për njerëzit e varfër të Shqipërisë. Zhapa do të kujdesej nëpërmjet testamentit të tij për shkollat e Leklit, Kakakozit, Karjanit, Nivanit, Përmetit, Dhrovjanit, Delvinës, Filatit e Qeparoit. Në testament parashikohej për çdo vit fondi në ndihmë të shkollave që kapte shifrën 1200 franga ari në vit. Vangjel Zhapa ka sponsorizuar botimin e dy abetareve të gjuhës shqipe nga Naun Veqilharxhi, në Bukuresht. Po kështu ky bamirës sponsorizoi gazetën “Pellazgu”, e cila dilte në Lamia të Greqisë, nga vitet 1859-1861.
Vangjel Zhapa me çifligjet e Vllahisë, hartoi edhe një program për rilindjen e Labovës, të vendlindjes së vet. Sipas këtij programi, u ndërtua shkolla me dy nivele sipas modelit modern të kohës, së bashku me konviktin, që do të strehonte nxënësit e largët. Zhapa me shpirtin e tij human rrezatoi ndihmë edhe për të varfrit në vendlindje e më gjerë. 50 familje të varfra u trajtuan me 250 napolona floriri ndihmë vjetore, shumë vajza të varfra të vendlindjes janë martuar me fondet e Zhapës. Në Labovën e Madhe, Zhapa ndërtoi shkollën në vitin 1860, në të cilën në vitin 1921 u zhvilluan kurset e para pedagogjike nga ku u përgatitën 94 mësues për shkollat fillore të Shqipërisë. Për shtetin rumun ky bamirës vuri në dispozicion shuma të konsiderueshme parash për botimin e fjalorit të gjuhës letrare rumune. Po ashtu ai investoi një bateri topash nga më modernët për kohën, për ushtrinë rumune me vlerë 50000 napolona floriri.
Vangjel Zhapa, i cili ringjalli Lojërat olimpike kur dihet që ato ishin një kujtim i shkuar i viteve 392 të erës së re, vit kur këto lojëra u shkatërruan nga perandori romak. Pas shuarjes së këtyre lojërave u deshën 15 shekuj që të rilindte përballja sportive olimpike. Në bibliotekën e Akademisë Olimpike Ndërkombëtare ekzistojnë dokumente që vërtetojnë se një nga figurat e shquara që kontribuan në ringjalljen e Lojërave Olimpike ishte Vangjel Zhapa, filantropi nga Labova e Madhe. Megjithëse ky jetonte atëhere në Rumani, zgjodhi Greqinë për të ndërmarrë një sipërmarrje të tillë, pasi dikur këto lojëra janë organizuar në Greqinë e lashtë dhe se ajo e kishte fituar më herët pavarësinë. Në vitin 1856, krerët e qeverisë greke morën një letër nga njeriu që mbështeste materialisht Lojërat Olimpike. Letra u ishte dërguar autoriteteve të Athinës nga konsullata greke në Bukuresht. Vangjel Zhapa, merr përsipër përpara mbretit ringjalljen e Lojërave Olimpike, zhvillimin e tyre ashtu siç ishin zhvilluar në kohërat e lashta. Në fund letra kërkonte që edicioni i parë i këtyre lojërave të organizoheshin në Athinë, në vitin 1859.
Në vitin 1856, u botua në shtypin e Greqisë artikulli i madh me titull: Vangjel Zhapa, njeriu që merr përsipër të paguajë të gjitha shpenzimet për rilindjen e olimpizmit…
Vangjel Zhapa në një peticion që i dërgon mbretit Othon në vitin 1858, i shkruante atij se ia falte shtetit grek 400 aksionet që kishte në shoqërinë e Lundrimit të Rumanisë, për themelimin në Athinë të Institutit Olimpik, që do të organizonte periodikisht konkurrime sportive, duke nisur nga viti 1859. Më vonë, veç këtyre Zhapa i shtoi ofertës së tij edhe 3000 napolona floriri. Dhurata e Vangjel Zhapës u bë shkak për një dekret të veçantë mbretëror në vitin 1856, me anë të cilit dhurata pranohej. Për të krijuar kushte në mënyrë që garat të kryheshin normalisht ideoi ndërtimin e një ndërtese komplekse në qendër të Athinës. Katër vjet pas vdekjes së Zhapës (1865), grekët i dhanë lejen për ndërtimin në qendër të Athinës të stabilimentit që e pagëzuan me emrin “Zapion”, për nder të Vangjelit që dha kontribut të çmuar në rilindjen e Lojërave Olimpike. Pallati “Zapion” është një dhuratë edhe për Ballkanin, projekti i tij iu besua arkitektit francez Bulanzhe, ndërsa zbatimi inxhinierit danez Theofil Van Hansen. Punimet për ndërtimin e tij zgjatën 14 vite. Shiritin e përurimit e preu kushëriri i tij Kostandin Zhapa, i ardhur nga Rumania. Ky pallat përbëhet nga 15 salla me sipërfaqe 2500 metra katrorë. Ndërtesa është e mbushur me statuja mermeri të punuara nga artistët më të mirë të Athinës. Kjo është një vepër mahnitëse që impresionon vizitorët nga e gjithë bota. Për ndërtimin e kësaj vepre u shpenzuan 28 milionë franga ari. Me të drejtë, athinjotët e quajnë “stoli floriri” të qytetit të tyre.
Ndërsa për të mbuluar organizimin e ekspozitave çdo katër vjet, për dhënie çmimesh dhe të kurorës së artë që do t’i jepej fituesit dhe krenarisë kombëtare është përdorur renta vjetore e pasurisë së Vangjel Zhapës e trashëgimisë në Rumani prej 12000 napolona flori. Shteti Grek në shenjë nderimi dhe respekti në të dy anët e pallatit i përjetësoi figurat e dy kushërinjve Zhapa me ndërtimin e monumenteve të tyre prej mermeri, të vendosura në dy anët e hyrjes qendrore të këtij pallati. Bamirës të tjerë të racës shqiptare si Apostol Arsaqi, Georges dhe Simon Sina, nga Përmeti, Jani Banga nga Korça dhe Jani Dhima nga Himara, krahas dhjetëra bamirësve të tjerë shqiptarë, midis të cilëve i madhi Georges Averof derdhën nga thesari i tyre shuma të konsiderueshme për ndërtimin e veprave publike si Universiteti i Athinës, Biblioteka Kombëtare, Akademia Politeknike, Teatri Konsevator, Shkolla “Arsaqi”, muzeume etj.
Lind pyetja natyrshëm: Kush i ka ndërtuar këto vepra? Kush i ka paguar arkitektët, sipërmarrësit, punëtorët e ndërtimit për ndërtimin e tyre?
Studiuesi grek Farmaqi duke përmendur numrin e madh të shqiptarëve. Ndër të tjera, shkruan: “Asnjë copë e tokës greke nuk lindi kaq bamirës sa EPIRI”/Pamfleti
Përgatiti Kastriot Kotoni
Lini një Përgjigje