
Anis Mehmeti është kthyer sërish protagonist në Angli. Fantazisti shqiptar ka shënuar një supergol në Championship përballë Ipsuiçit në transfertë. Lojtari i Kombëtares e nisi titullar si zakonisht për Bristol Sitin dhe tundi rrjetën.
23-vjeçari shënoi golin e parë të sfidës, duke zhbllokuar ndeshjen në minutën e 54. Një aksion personal për t’u duartokitur ai i shqiptarit që dribloi brenda zonës dhe më pas dërgoi topin në fundin e rrjetës.
Mehmeti mori vlerësimin më të madh nga lojtarët e Bristolit, ndërkohë që në përshkrimin e golit të tij lexohet:
“Kjo është pikërisht çfarë është i aftë të bëjë ai. Një inkursion i lavdishëm, pikërisht në stilin Mehmeti, i cili mori ëmbël topin dhe la pas dy mbrojtës brenda zonës kundërshtare. Edhe pse goditja e tij u devijua, ishte një finalizim i mrekullueshëm”.
Ky ishte goli i dytë sezonal për të në Divizionin e Dytë të futbollit anglez.
Mehmeti ishte një nga surprizat e Silvinjos në kualifikuese, ku fitoi ftesën kuqezi dhe debutoi me fanelën e Shqipërisë.
Mehmeti debutoi në marsin e vitit të kaluar me kombëtaren shqiptare, fanelën e së cilës e ka veshur tri herë deri tani.
Lini një Përgjigje