
Pas humbjes me Çekinë, Kombëtarja shqiptare do të kërkojë të rikthehet te fitorja të hënën, ku e pret një transfertë delikate ndaj Gjeorgjisë.
Në Tbilisi do të luhet sfida e raundit të katërt në Ligën e Kombeve. Kuqezinjtë e Silvinjos duan hakmarrje pas humbjes një muaj më parë nga gjeorgjianët në Tiranë me rezultatin 0-1.
Një ndeshje e rëndësishme për të dy kombëtaret, me UEFA-n që ka vendosur t’ia besojë drejtësinë arbitrave holandezë.
Gjyqtar kryesor do të jetë një emër i njohur si Deni Makeli, ndërsa asistentë të tij në fushë do të jenë Hesel Stigstra dhe Jan de Vris. Arbitër i katërt është përzgjedhur Alard Lindhot.
41-vjeçari është emër i njohur për Shqipërinë, pasi ishte arbitër kryesor në "Air Albania" më 12 tetorin e vitit 2023, aty ku Shqipëria mposhti 3-0 Çekinë në kualifikueset e “EURO 2024”. Madje arbitri nxori edhe kartonin e kuq për Shytil të miqve pas 39 minutave lojë.
Në VAR, do të jenë dy holandezë të tjerë, Rob Diperink dhe Ervin Blank.
Përballja është deçizive për Shqipërinë që qendron në vendin e tretë me tri pikë (sa Ukraina) dhe sheh përpara Gjeorgjinë dhe Çekinë me gjashtë pikë. Kujtojmë se një muaj më parë, Gjeorgjia mposhti tanët 0-1 në "Air Albania". Arbitri Deni Makeli ishte pjesë edhe e finaleve të “EURO 2024”, ku 'u përjashtua' pas fazës së grupeve për polemikat e shumta kundër tij pas dy ndeshjeve, Gjermani-Hungari dhe Itali-Kroaci.
Ndeshja Gjeorgji-Shqipëri, do të luhet të hënën e 14 Tetorit në orën 18:00.
Lini një Përgjigje