
Ish-trajneri i Shqipërisë, Kristian Panuçi ka dhënë një intervistë për median italiane “Tuttosport”, ku është ndalur edhe tek Ardian Ismajli. Ai ka zbuluar si e ka thirrur mbrojtësin në Kombëtare dhe që askush nga Federata nuk e njihte.
“E njoh mirë Ismajlin prej shumë vitesh, ai është bërë një nga mbrojtësit më të mirë në Serinë A dhe është një djalë i jashtëzakonshëm. Mendoj se ai është gati të bëjë hapin drejt një klubi të madh. Nuk më habit aspak që Juventusi po e ndjek. Do të ishte një shtesë shumë e dobishme për bardhezinjtë. Ardiani e meriton një shans të tillë”.
Mund të na tregoni si e zbuluat Ismajlin?
“Po flas për herë të parë dhe jam shumë i lumtur që e bëj këtë. Në vitin 2018 isha trajner i kombëtares shqiptare dhe shkova nëpër Europë në kërkim të lojtarëve të rinj. Unë bëja skautizëm të dorës së parë dhe e pashë në Kroaci, ku Ardiani luante për Hajdukun e Splitit. Më goditi menjëherë. Kështu që unë mora hapa për të biseduar me të dhe për ta bindur që të zgjidhte Shqipërinë, duke qenë se Ismajli ishte tashmë në kombëtaren e Kosovës”.
Mund të thuash që shkoi mirë…
“Ai e pranoi kombëtaren shqiptare për mua dhe për atë që kisha bërë për ta bindur. Ishte njeri i fjalës! Kosova nuk donte ta humbiste, por Ardiani e mbajti premtimin që më dha. Askush nuk e njihte brenda Federatës Shqiptare, herën e parë që e thirra, as që e dinin se kush ishte. Po të mos kishte qenë Panuçi, Ismajli nuk do të vinte kurrë të luante për Shqipërinë…”, deklaroi ai.
Kujtojmë se Ismajli këtë sezon po bën paraqitje fantastike me Empolin, ku thuajse javë pas jave është në formacionin më të mirë të javës në Serinë A. Gjithashtu vlen të theksohet se kontrata aktuale e mbrojtësit me Empolin i përfundon në qershor të vitit të ardhshëm dhe Juventusi po punon për ofertën që do t’i paraqesë klubit për të siguruar shërbimet e Ismajlit që në merkaton e janarit.
Lini një Përgjigje