
Ish-mbrojtësi i Mançester Sitit dhe Noruip Sitit, Age Hareide, ka ndërruar jetë në moshën 72-vjeçare.
Muajin e kaluar u bë e ditur se ish-lojtari i Norvegjisë, i cili numëronte 50 ndeshje me kombëtaren e vendit të tij, ishte diagnostikuar me kancer në tru në fillim të këtij viti. Të enjten, u konfirmua se Hareide e humbi betejën e shkurtër me sëmundjen, ndërsa homazhet kanë vërshuar nga tifozë në Angli dhe në Skandinavi.
Mançester Siti reagoi përmes një njoftimi në rrjetet sociale: “Mançester Siti është i trishtuar të mësojë se Age Hareide, lojtari i parë norvegjez i klubit, ka ndërruar jetë në moshën 72-vjeçare.”
Hareide zhvilloi 24 ndeshje me Sitin pas transferimit nga Molde në vitin 1981. Një vit më vonë, ai kaloi te Noruiç, ku regjistroi 52 paraqitje gjatë dy sezoneve.
Edhe Noruiçi shprehu ngushëllimet: “Noruiç Siti është thellësisht i pikëlluar nga lajmi për ndarjen nga jeta të ish-lojtarit tonë Age Hareide. Mendimet tona janë me familjen dhe miqtë e Age në këtë moment.”
Në vitin 1985, Hareide u largua nga Anglia për t’u rikthyer te Molde, ku fillimisht mori rolin e lojtarit-trajner, përpara se të përqendrohej plotësisht në karrierën e trajnerit pas tërheqjes nga futbolli si lojtar.
Gjatë karrierës së tij si trajner, ai drejtoi shtatë klube dhe tre përfaqësuese kombëtare, duke fituar tituj kampionë në Norvegji, Danimarkë dhe Suedi. Një nga arritjet më të mëdha ishte udhëheqja e Danimarkës deri në fazën e 1/8-ave të Kupës së Botës 2018, ku u eliminua nga Kroacia.
Tifozë të shumtë kanë ndarë mesazhe prekëse në kujtim të tij. Një prej tyre shkroi: “Si tifoz i MFF, Age si trajner më dhuroi disa nga momentet më të lumtura të jetës sime. Një njeri i vërtetë, një trajner i madh. Nuk do ta harroj kurrë.”
Një tjetër shtoi: “Një njeri vërtet i madh. Trajnoi kombëtaren tonë dhe klubin tim lokal. Ishte pjesë e rëndësishme e futbollit për mua për shumë vite. U prehsh në paqe, Age.”
Lini një Përgjigje