
Federata Gjermane e Futbollit ka përjashtuar mundësinë e bojkotit të Kupës së Botës, pasi u përball me presion për t'u tërhequr për shkak të politikës së Donald Trump.
"Komiteti Ekzekutiv i DFB-së pajtohet që debatet mbi politikën sportive duhet të zhvillohen brenda vendit dhe jo në publik.
Një bojkot i Kupës së Botës që do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada aktualisht nuk është duke u shqyrtuar. Në përgatitje të turneut, DFB është në dialog të vazhdueshëm me përfaqësues nga politika, siguria, biznesi dhe sporti.
Ne besojmë në fuqinë unifikuese të sportit dhe në ndikimin global që mund të ketë një Kupë Bote në futboll. Qëllimi ynë është ta forcojmë këtë forcë pozitive dhe jo ta parandalojmë atë," thuhet në deklaratën e Federatës Gjermane të Futbollit.
Gjatë dy javëve të fundit, mediat dhe politikanët gjermanë kanë diskutuar një bojkot të mundshëm të ngjarjes sportive më të madhe botërore pas kërcënimeve të Trump për të vendosur tarifa ndaj vendeve të BE-së që kundërshtojnë planet e tij për të aneksuar Groenlandën, të cilat tashmë janë tërhequr.
Kupa e Botës është një nga projektet prestigjioze të Trump, dhe presidenti i SHBA-së mban lidhje të ngushta me presidentin e FIFA-s, Xhani Infantino. Një bojkot nga kombet e rëndësishme evropiane do ta paralizonte turneun.
Duke folur në Forumin Ekonomik Botëror në Davos mes tensioneve për Groenlandën, Infantino u përpoq të minimizonte ndarjet politike, duke thënë: "Bota qendron në vend sepse Kupa e Botës dhe futbolli kanë vërtet një ndikim në jetën, në humorin e njerëzve si asgjë tjetër. Nuk ka asgjë të ngjashme me atë që bën futbolli. Ai ndryshon humorin jo vetëm të njerëzve, por edhe të vendeve."
Thirrjet për një bojkot të motivuar politikisht të mega-ngjarjeve sportive nuk janë të reja. Përpara turneut të Kupës së Botës 2022 në Katar, mediat dhe politikanët në disa vende të BE-së debatuan për bojkotimin e ngjarjes për shkak të trajtimit të punëtorëve migrantë nga vendi organizator.
Gjermania e ka fituar Kupën e Botës katër herë./"Politico.eu", përshtati në shqip, "Pamfleti"
Lini një Përgjigje