
Drejtori sportiv i Haken e ka përshkruar Etrit Berishën si një portier të plotë që dominon ajrin.
“Berisha ka një rol të rëndësishëm për të luajtur, si në fushë, ashtu edhe jashtë saj. Ai ka një CV që pak portierë në Suedi mund ta krahasojnë, dhe ishte ende portieri i parë i Shqipërisë vitin e kaluar, para Kampionatit Evropian. E mirëpresim me ngrohtësi në klub”, thotë Martin Erikson.
Prej afro një sezoni nuk luan futboll, por Etrit Berisha ka riveshur dorezat dhe është futur në katërkëndësh, këtë herë në Suedi me Haken FC, aty ku e nisi me futbollin e madh.
Nuk është Kalmari, por Haken skuadra e re që ka përfituar shërbimet e veteranit 36-vjeçar. Të mbetur pa portierin e parë Andres Linde të dëmtuar, skandinavët hodhën sytë nga Berisha dhe firma në kontratë nuk mungoi.
Sipas, “Football Transfers”, Linde pritet të mungojë për dy deri në tre muaj për shkak të një dëmtimi muskulor. Berisha ishte pa klub, që prej largimit nga Empoli në verën e vitit të kaluar.
"E njoh mirë Haken, ende ndjek kampionatin dhe në Suedi ndihem si në shtëpinë time. E di që Haken ka bërë vazhdimisht hapa përpara. Prandaj ishte interesante për mua të vija këtu dhe ta ndihmoja klubin të arrijë suksese të reja. Do të përpiqem të ndihmoj lojtarët e rinj. Është mirë për klubin që mund të ndaj gjithçka që kam mësuar nga përvoja ndërkombëtare", tha Berisha mes të tjerash.
Etriti e kishte thënë shpesh se kërkonte të ishte pranë familjes dhe duket se rikthimi në Suedi ishte i natyrshëm për gardianin që ka luajtur me Atalantën, Lacion, SPAL-in, Torinon dhe Empolin.
163 ndeshje regjistron Berisha në Serinë A, ndërsa me Kombëtaren ka qenë plot 80 herë në katërkëndësh, duke marrë pjesë edhe në finalet e “EURO 2016” dhe “EURO 2024”.
Tashmë pas 12 vitesh nga ndeshja e fundit me Kalmar, Berisha rikthehet në Suedi dhe këtë herë do mbrojë ngjyrat e Haken.
Lini një Përgjigje