
Çështja “Rubiales” vijon të mbetet në qendër të vëmendjes në Spanjë, ku vijojnë hetimet në lidhje me ish-presidentin e Federatës Spanjolle të Futbollit. Gjithçka ka lidhje me puthjen e famshme që ai i mori futbollistes Xheni Hermoso gjatë ceremonisë së trofeut Kupës së Botës.
Emisioni televiziv spanjoll “Codico 10” ka patur akses në proces-verbalin e mbajtur gjatë dëshmisë që ka dhënë vetë futbollistja ndaj prokurorit të çështjes. Ja çfarë ka thënë Hermoso:
“Gjatë ceremonisë përshëndeta mbretëreshën, përqafova vajzën dhe vajta te Rubiales, që më dha medaljen. E përqafova dhe më pas i thashë: Çfarë bëmë kështu! Në atë moment m’u hodh përsipër. E vetmja gjë që mbaj mend është se më tha: Fituam botërorin falë teje. Më pas zgjati duart drejt meje dhe më puthi në buzë”.
Më pas, lojtarja ndalet në pasojat e atij gjesti në aspektin psikologjik dhe në jetën e saj të përditshme. “Ishte një tronditje e madhe, për ditë me radhë nuk dola nga shtëpia. Nuk mendoj se e meritoj këtë gjë, nuk jam respektuar si grua dhe si futbolliste. Imazhi im u përdhos e askush nuk më mbrojti”, tha Hermoso.
“Të reagoja pas puthjes? Si mund të reagoja, ishte diçka e papritur. Për shkak të adrenalisës që kisha në ato momente e përqafova dhe Rubiales për mua ishte një person i besueshëm. Kam patur një marrëdhënie formale me të, por të respektueshme. Askush nuk e priste atë që ndodhi.
Nuk pata kohë të reagoja. E vetmja gjë që ndodhi ishte se i thashë Aleksias dhe Irenës: E dini që Rubiales sapo më puthi në buzë, ka rrëfyer për prokorurinë futbollistja. E vërteta është se nuk e shijova aspak atë titull kampion bote. Në dhomat e zhveshjes përpiqesha të festoja, por mendjen e kisha tek ajo që ndodhi.
Sapo kisha realizuar diçka magjike në fushë, por nuk festoja dot me shoqet. Ishte diçka mbytëse. Kur pashë pamjet ishte edhe më tronditëse për mua. Më pas Rubiales hyri në dhomat e zhveshjes për të na përshëndetur”, tha Hermoso.
Më tej lojtarja shtoi: “Kur ishim në avion për në Spanjë, presidenti kërkoi që të bënim një video ku ta shfajësoja, por refuzova. Donin të më detyronin të bëja video. Madje trajneri foli me vëllanë tim për ta bindur. Ishte një gjë që nuk e doja. U ndjeva e dhunuar dhe e keqpërdorur.”
Lini një Përgjigje