
Gjykata e Barcelonës ka mbajtur një seancë dëgjimore këtë të martë, më 19 mars, për të vendosur nëse Dani Alvesh do të lirohej nga burgu apo do të mbetej i privuar nga liria. Avokati i tij, Ines Guardiola, jo vetëm që kërkoi lirimin e menjëhershëm të futbollistit brazilian, por argumentoi se pagesa prej 150.000 euro dëmshpërblim duhet të jetë shumë kualifikuese, kështu që dënimi mund të ulet.
Alvesh siguroi Gjykatën se do të qendronte në Spanjë derisa të zgjidhej procesi, duke shtuar se vendbanimi i tij ishte në Barcelonë. Përveç kësaj, mbrojtja e Alvesh ofroi gjithashtu një garanci të re prej 50.000 euro dhe paraqitje ditore në gjykatë.
Prokuroria ishte kundër lirimit të Dani Alvesh, pasi tha se ekzistonte ende rreziku i arratisjes, duke pasur parasysh kapacitetin e lartë ekonomik të futbollistit. Dani Alvesh, i cili foli në fund të seancës, tha për arratisjen e tij të mundshme: “Kam besim te drejtësia dhe do të jem gjithmonë në dispozicionin tuaj. Dua t’i shkoj deri në fund kësaj çështjeje, dua të dalë në dritë e vërteta”.
Sot mësojmë se, nëse Dani Alvesh paguan kushtin prej një milion eurosh, ai mund të lihet i lirë, sipas “El Perodico”. Një kusht tjetër për të qenë i lirë do të ishte që ai të mos largohej nga Spanja. Nëse verifikohet pagesa e depozitës (garancisë pasusore), atij do t’i bllokohen dy pasaportat, ajo spanjolle dhe braziliane, që të mos ketë mundësi arratisjeje.
Gjithashtu, Alvesh do të duhet të paraqitet çdo javë përpara Gjykatës së Provincës, si dhe aq herë sa thirret nga autoriteti gjyqësor. Gjithashtu, braziliani nuk mund t’i afrohet vajzës që e ka denoncuar për përdhunim në një distancë jo më pak se 1000 metra nga shtëpia, vendi i punës ose çdo vend tjetër i frekuentuar prej saj.
Argumentet që gjykata ka dhënë: “Vlen të kujtohet se funksioni i paraburgimit të përkohshëm nuk mund të jetë në asnjë rast për të çuar përpara efektet e një dënimi hipotetik, që mund t’i shqiptohet të akuzuarit, ose për të nxitur hetimin e krimit, për të marrë prova ose deklarata, pasi për qëllime të tilla heqja e lirisë do të kalonte kufijtë kushtetues të njohur në nenin 17 të Kushtetutës Spanjolle, i cili njeh të drejtën e çdo personi për liri, në mënyrë që askujt të mos mund t’i hiqet ajo, por vetëm në rastet e përcaktuara në dispozitën në fjalë dhe në format e parashikuara në ligj”.
Lini një Përgjigje