
UEFA ka vendosur ndalime shtatë vjeçare për dy klube evropiane, duke i përjashtuar nga të gjitha kompeticionet e saj për shkak të shkeljeve të rënda disiplinore dhe të integritetit të ndeshjeve.
FK Ventspils nga Letonia u përjashtua nga garat e UEFA-s për shkak të mashtrimit, ryshfetit dhe korrupsionit, si dhe shkeljeve të integritetit të ndeshjeve dhe kompeticioneve. Hetimi përqendrohej te një ndeshje kualifikuese e Ligës së Europës në korrik të vitit 2018 kundër ekipit francez Bordo, i cili nuk u implikua. Presidenti i Ventspils, Adlan Shishkanov, u përjashtua përgjithmonë nga Trupi i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës i UEFA-s. Dënimi vlen deri në sezonin 2027, por diçka e tillë nuk vlen, pasi FK Ventspils u shkri dhe në vend të tij u krijua JFK Ventspils, i cili garon në ligën e dytë të Letonisë.
Një klub tjetër që po përballet me një ndalim shtatë vjeçar është dhe FK Arsenal Tivat nga Mali i Zi, i akuzuar për trukim ndeshjesh dhe shkelje të rregullave për integritetin e kompeticioneve. Hetimi i UEFA-s u fokusua te një ndeshje e Ligës së Konferencës kundër skuadrës armene Alashkert, dhe si pasojë klubi mori fillimisht një pezullim 10-vjeçar, ndërsa mbrojtësi i ekipit, Nikola Celebiç, u përjashtua përgjithmonë.
Këto masa pasojnë vendimin e UEFA-s për të ndaluar gjithashtu të gjitha klubet ruse, një masë e marrë pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022.
Lini një Përgjigje