
Tirana ka fituar përballë Laçit në ndeshjen e vlefshme për javën e 28 të Abissnet Superiores. Kjo sfidë e zhvilluar në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, përfundoi me fitoren 4-1 të bardhebluve.
Golat për Tiranën u shënuan nga Kola, Zharmouni, Ernest dhe Ndreca. Ndërkohë që golin e vetëm për kurbinasit e shënoi Traore. Një fitore tepër e rëndësishme për Tiranën, të cilët treguan një “fytyrë” të re.
Me këtë triumf, bardheblutë shkojnë në kuotën e 29 pikëve dhe ngjiten në vendin e 8. Në krahun tjetër me 31 pikë të grumbulluara, Laçi mbetet në vendin e 6 të renditjes.
Elbasani është ndalur nga Skënderbeu, që ia doli të marrë 1 pikë me 10 lojtarë në transfertë. Sfida e javës së 28 u mbyll me barazim 0-0.
Ky takim ishte mjaft emocionues dhe i pati të gjitha që nga fillimi i lojës deri në fund. Traversa dhe shtylla ndalën Elbasanin, që kërkoi me ngulm golin. Rasti kulminant i sfidës ishte penalltia, që u humb nga Musta në minutën e 77.
Në anën tjetër, Skënderbeu po ashtu iu afrua fitores edhe pse luajti me 10 lojtarë për rreth 40 minuta lojë. Kështu skuadra e Gvozdenoviç dhe Gjokës duhet të kënaqeshin me ndarjen e pikëve.
Pas kësaj jave, Skënderbeu mbetet në vendin e fundit me 27 pikë. Në anën tjetër Elbasani afrohet dhe 1 pikë më shumë me Partizanin, që mbyll zonën e "Final Four". Tashmë verdheblutë janë 5 pikë larg.
Lini një Përgjigje