TAGS-AT E JAVËS

Sport23 Shkurt 2026, 19:21

Tirana largon nga pankina Ardian Nuhiun, rikthehet Orges Shehi

Shkruar nga Pamfleti
Tirana largon nga pankina Ardian Nuhiun, rikthehet Orges Shehi
Ardian Nuhiu dhe Orges Shehi

Ardian Nuhiu nuk është më trajner i Tiranës. Klubi bardheblu njoftoi zyrtarisht ndërprerjen me marrëveshje të kontratës me teknikun, duke e mbyllur kështu një kapitull që zgjati vetëm pak muaj.

Në reagimin publik, Tirana falënderoi Nuhiun për kontributin dhe profesionalizmin gjatë kohës në drejtimin e skuadrës, ndërsa i uroi suksese në vijim të karrierës. Vendimi vjen në një moment të vështirë për bardheblutë, që po kalojnë një periudhë jo të qëndrueshme në kampionat.

Pa humbur kohë, drejtuesit kanë zgjedhur rikthimin e Orges Shehit në stolin bardheblu. Tekniku durrsak rikthehet katër vite pasi shpalli Tiranën kampione dhe pas një periudhe të suksesshme në drejtimin e ekipit.

Shehi drejtoi Tiranën nga janari 2021 deri në tetor 2023, duke regjistruar mbi 120 ndeshje zyrtare. Gjatë mandatit të tij, bardheblutë fituan titullin kampion dhe Superkupën e Shqipërisë. Statistikat flasin për një bilanc pozitiv, me mbi 60 për qind fitoresh.

Pas largimit nga Tirana, ai mori drejtimin e Ballkanit në Kosovë, por tashmë rikthehet në një moment kur skuadra kërkon stabilitet dhe reagim të menjëhershëm.

Në deklaratën e parë pas rikthimit, Shehi u shpreh se vendimi ishte “zgjedhje zemre dhe tifozllëku”, duke theksuar se synimi është kalimi i situatës kritike në të cilën ndodhet skuadra. Kontrata paraprake pritet të jetë deri në fund të sezonit.

Rikthimi i tij shihet si një përpjekje për të rikthyer qetësinë dhe identitetin në skuadër. Drejtuesit kanë zgjedhur përvojën dhe njohjen e ambientit në një fazë ku çdo pikë dhe çdo ndeshje ka peshë.

 

ardian nuhiu orges shehi tirana

Lini një Përgjigje