
Borusia e Dortmundit ka marrë një fitore dramatike 3-2 ndaj Hamburgut në javën e 27-të të Bundesligës, në një ndeshje me dy tablo të ndryshme në “Signal Iduna Park”.
Hamburgu e nisi sfidën në mënyrë mbresëlënëse, duke kaluar në avantazh të dyfishtë brenda pjesës së parë. Otele hapi serinë e golave në minutën e 19-të, ndërsa Lokonga dyfishoi shifrat në minutën e 38-të, duke i dërguar miqtë në pushim me epërsi të qartë 0-2.
Në fundin e pjesës së parë, Dortmundi pati mundësinë të rikthehej në lojë, por Feliks Nmeça gaboi nga pika e bardhë, duke humbur një penallti të rëndësishme.
Megjithatë, verdhezinjtë reaguan fuqishëm në pjesën e dytë, duke realizuar një përmbysje spektakolare. Në minutën e 72-të, pas një faulli ndaj Maksimilian Bejer brenda zonës, Dortmundi fitoi një tjetër penallti, të cilën Remi Bensebaini e shndërroi në gol për të ngushtuar diferencën.
Vetëm pesë minuta më pas, në minutën e 77-të, Serhu Girasi barazoi rezultatin në 2-2, duke rikthyer baraspeshën.
Përmbysja u kompletua në minutën e 83-të, kur Dortmundi fitoi penalltinë e tretë të ndeshjes, këtë herë për prekje të topit me dorë në zonë. Sërish i saktë nga pika e bardhë u tregua Bensebaini, i cili realizoi golin e dytë personal dhe vulosi fitoren 3-2.
Me këtë sukses, Dortmundi ruan diferencën prej 9 pikësh nga Bajerni i Mynihut në krye të renditjes, ndërsa mban të njëjtën distancë edhe nga Lajpcigu i vendit të tretë. Nga ana tjetër, Hamburgu mbetet në vendin e 11-të në klasifikim.
Lini një Përgjigje