
Milani ka arritur një fitore të rëndësishme 3-2 ndaj Torinos në “San Siro”, në kuadër të javës së 30-të të Serisë A. Sfida u karakterizua nga intensitet i lartë dhe përmbysje emocionesh, me vendasit që arritën të ruanin avantazhin deri në fund.
Ndeshja u zhbllokua në minutën e 36-të nga Strahinja Pavloviç, i cili realizoi një gol spektakolar me të majtën nga jashtë zone. Topi u përplas në traversën e brendshme dhe përfundoi në rrjetë.
Torino reagoi shpejt dhe në minutën e 38-të rrezikoi me Duvan Zapatën, por portieri Majk Menjo ishte i vëmendshëm. Në fund të pjesës së parë, miqtë barazuan me Xhovani Simeonen, i cili përfitoi nga një top i kthyer nga shtylla pas goditjes së Nikola Vlasiç. Pjesa e parë u mbyll në barazim 1-1.
Fraksioni i dytë i lojës ishte më dinamik. Në minutën e 53-të, Adrien Rabio shënoi golin e avantazhit për Milanin (2-1), pas një aksioni të ndërtuar mirë nga Modriç, Pulisiç dhe vetë Rabio.
Vetëm dy minuta më pas, Jusuf Fofana thelloi rezultatin në 3-1, pas asistit të Zakari Atekame, i cili u aktivizua në fillim të pjesës së dytë.
Torino tentoi të rikthehej në lojë dhe në minutën e 68-të iu afrua golit me Simeonen, por Menjo ndërhyri sërish në mënyrë vendimtare. Në minutën e 82-të, Nikola Vlasiç ngushtoi shifrat në 3-2 nga pika e penalltisë, pas një faulli të Pavloviç ndaj Simeones.
Rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund.
Me këtë fitore, Milani ngjitet në vendin e dytë me 63 pikë. Kuqezinjtë kanë një pikë më shumë se Napoli i vendit të tretë dhe mbeten pesë pikë pas Interit kryesues, që ende nuk ka zhvilluar ndeshjen e kësaj jave.
Lini një Përgjigje