
Interesimi për përballjen mes Spanjës dhe Argjentinës është konfirmuar që në nisje, pasi të gjitha biletat për ndeshjen e quajtur “Finalissima” janë shitur brenda dy orësh.
Sipas të dhënave zyrtare, 88.966 bileta janë shitur menjëherë pas daljes në treg, duke dëshmuar pritjen e lartë për duelin mes kampionëve të Evropës dhe përfaqësueses së Argjentinës, e cila mban titullin kampion bote dhe atë të Amerikës së Jugut.
Takimi do të zhvillohet në stadiumin “Lusail”, impianti ku më 18 dhjetor 2022 u luajt finalja e Kupës së Botës në Katar. Në atë stadium, Argjentina triumfoi ndaj Francës, ndërsa Lionel Mesi ngriti trofeun e Botërorit.
Organizimi i kësaj përballjeje bëhet nga UEFA dhe CONMEBOL. Edhe pse ndeshja nuk ka status zyrtar si kompeticion madhor, interesimi dhe pritshmëritë e publikut janë të krahasueshme me një finale të rëndësishme ndërkombëtare.
Spanja vjen në këtë duel si kampione e Evropës, ndërsa Argjentina si kampione e Botës dhe fituese e Kupës së Amerikës. Kjo e bën ndeshjen një test të rëndësishëm për të dyja përfaqësueset, më pak se tre muaj para nisjes së Kupës së Botës 2026.
Ndeshja mes Spanjës dhe Argjentinës do të zhvillohet më 27 mars, në orën 19:00.
Lini një Përgjigje