
Mançester Siti ka regjistruar fitoren e katërt rresht në Premier Ligë, duke mposhtur 0-1 Lidsin në transfertë, në takimin e vlefshëm për javën e 28-të të kampionatit anglez.
Goli i vetëm i sfidës u shënua në fund të pjesës së parë. Pas një kundërsulmi të shpejtë, Rajan Ait-Nuri dhuroi asistin vendimtar për Antoin Semenjo, i cili, i pozicionuar i vetëm përballë portës, e pati të lehtë ta dërgonte topin në rrjetë. Me këtë gol, pjesa e parë u mbyll me epërsinë minimale 0-1 për skuadrën e drejtuar nga Pep Guardiola.
Në fraksionin e dytë, rezultati mbeti i pandryshuar, pavarësisht përpjekjeve të të dyja ekipeve. Mançester Siti administroi avantazhin dhe mori tre pikë të rëndësishme në garën për titull.
Pas kësaj fitoreje, Siti mban vendin e dytë në renditje me 59 pikë, dy më pak se Arsenali kryesues. “Topçinjtë” do të zbresin në fushë nesër, në derbin ndaj Çeslit, një përballje që mund të ndikojë drejtpërdrejt në luftën për kreun e tabelës.
Lini një Përgjigje