
Napoli është rikthyer te fitorja në Serie A, duke mposhtur në transfertë Veronën me rezultatin 1-2, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Bentegodi”, e vlefshme për javën e 27-të të kampionatit italian.
Skuadra mike e nisi takimin në mënyrën më të mirë të mundshme, duke kaluar në avantazh që në minutën e dytë. Rasmus Hojlund shënoi pas një asistimi nga Antonio Vergara, duke i dhënë epërsinë e hershme Napolit. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 0-1 në favor të napolitanëve.
Vendasit arritën të rikthejnë baraspeshën në minutën e 63-të. Jean-Daniel Akpa Akpro realizoi një gol të bukur me një goditje të fuqishme brenda zonës, pas një topi të ardhur nga goditja e këndit, duke barazuar shifrat në 1-1.
Kur gjithçka dukej se do të mbyllej në barazim, Napoli gjeti golin e fitores në minutën e fundit shtesë. Pas një topi të futur në zonë nga Xhovane, ishte Romelu Lukaku, i aktivizuar si zëvendësues në pjesën e dytë, që e dërgoi topin në rrjetë.
Ky ishte goli i parë për sulmuesin belg pas rikthimit në fushë, pas një periudhe të gjatë jashtë për shkak dëmtimi. Gjatë festimit, Lukaku u ndëshkua me karton të verdhë pasi hoqi fanellën.
Me këtë fitore, Napoli mban vendin e tretë në renditje me 53 pikë. Verona, nga ana tjetër, mbetet në vendin e fundit me 20 pikë, duke vijuar të jetë në një situatë të vështirë në kampionat.
Lini një Përgjigje