
Mançester Siti ka siguruar një fitore të rëndësishme në transfertë përballë Bërnlit, në kuadër të javës së 34-t të Premier Ligës angleze. Takimi i zhvilluar në stadiumin “Turf Moor” përfundoi me rezultatin minimal 0-1.
Vendimtar në këtë përballje ishte sulmuesi norvegjez Erling Haland, i cili realizoi golin e vetëm të sfidës që në minutën e 5-të, duke i dhënë fitoren ekipit të drejtuar nga Pep Guardiola.
Nga ana tjetër, sulmuesi shqiptar Armando Broja u aktivizua në minutën e 82-të për Bërnlin, por pa arritur të ndikonte në ndryshimin e rezultatit.
Me këtë fitore, Mançester Siti ngjitet në krye të renditjes me 70 pikë, po aq sa Arsenali që mban vendin e dytë. Ndërkohë, Bërnli mbetet në vendin e parafundit me vetëm 20 pikë, dhe sezonin e ardhshëm do të luajë në Championship.
Në ndeshjen tjetër të mbrëmjes, Bërnmuthi mposhti Lidsin me rezultatin 3-1, duke u ngjitur në vendin e gjashtë, që siguron pjesëmarrjen në garat evropiane. Lidsi, nga ana tjetër, renditet në vendin e 15-të me 39 pikë.
Lini një Përgjigje