TAGS-AT E JAVËS

Sport11 Shkurt 2026, 17:46

Shuhet pa u krijuar Superliga Europiane, Reali i Madridit tërhiqet nga ideja dhe gjen marrëveshjen me UEFA-n

Shkruar nga Pamfleti

Shuhet pa u krijuar Superliga Europiane, Reali i Madridit tërhiqet nga

Reali i Madridit dhe UEFA formalizuan një marrëveshje që i jep fund konfliktit të hapur që nisi më 19 prill 2021 me shpalljen e Superligës Evropiane. Palët publikuan një deklaratë të përbashkët ku konfirmojnë rikthimin e raportit institucional dhe respektimin e strukturës aktuale të garave evropiane.

Në deklaratë thuhet se “UEFA, Klubet Evropiane të Futbollit dhe Reali i Madridit arrijnë një marrëveshje në parim për të mirën e futbollit evropian të klubeve, duke respektuar parimin e meritës sportive dhe duke theksuar qendrueshmërinë afatgjatë të klubeve dhe përmirësimin e përvojës së tifozëve përmes përdorimit të teknologjisë”. Me këtë formulim, Reali i Madridit pranon kornizën e kompeticioneve të organizuara nga UEFA.

Superliga u shpall zyrtarisht më 19 prill 2021. Dymbëdhjetë klube u regjistruan si themeluese: Reali i Madridit, Barcelona, Atlétiko Madrid, Milan, Arsenal, Çelsi, Inter, Juventus, Liverpul, Mançester Siti, Mançester Junajtid dhe Totenhem. Florentino Perez mori postin e presidentit të Superligës. Projekti synonte të krijonte një alternativë të drejtpërdrejtë ndaj Champions League.

Deklarata e 19 prillit 2021 saktësonte se “dymbëdhjetë nga klubet kryesore të futbollit të Evropës” kishin arritur marrëveshje për krijimin e një gare të re të qeverisur nga klubet themeluese dhe se tre klube të tjera do t’i bashkoheshin përpara sezonit inaugurues. Dokumenti përmendte edhe pritshmërinë për diskutime me UEFA-n dhe FIFA-n për të gjetur zgjidhje të përbashkëta.

Projekti hasi kundërshtim të menjëhershëm nga UEFA, federatat kombëtare dhe pjesë të mëdha të opinionit publik. Brenda pak javësh, shumica e klubeve angleze u tërhoqën. Juventusi u largua disa muaj më parë. Barcelona njoftoi tërheqjen pak ditë më parë. Reali i Madridit mbeti i vetmi klub që e mbrojti publikisht nismën deri në arritjen e marrëveshjes së fundit me UEFA-n.

Me këtë zhvillim, presidenti Florentino Perez dhe drejtuesit e UEFA-s mbyllin një përplasje pesëvjeçare që prodhoi procese gjyqësore dhe tension institucional. Reali i Madridit vijon pjesëmarrjen në kompeticionet e organizuara nga UEFA, ndërsa projekti i Superligës, siç u shpall më 19 prill 2021, mbetet i pezulluar pa mbështetjen e klubeve themeluese.

reali i madridit superliga e europës

Lini një Përgjigje