
Shqipëria bën mrekullinë në Gjeorgji, thyen tabunë dhe mban gjallë ëndrrën për kualifikimin në Ligën A. Kuqezinjtë kanë mposhtur për herë të parë në histori Gjeorgjinë, duke triumfuar me rezultatin minimal 0-1 në “Mikheil Meskhi”.
Heroi i kuqezinjve në Tbilisi ishte Kristjan Asllani me golin e realizuar në minutën e 48 të takimit. Bajrami nga e majta mori me vete mbrojtësit, pasoi për Tucin në qendër dhe sulmuesi pasoi më pas për Asllanin. Mesfushori nuk hezitoi të gjuante drejt portës dhe gjeti rrjetën duke i dhënë avantazhin Shqipërisë.
Avantazhi i kuqezinjve mund të ishte më i thellë, teksa Nedim Bajrami u gjend në një pozicion mjaft të favorshëm në minutën e 57.
Asani pasoi për Bajramin në qendër, gjuajtja e mesfushorit kaloi jashtë ngjitur me trekëndëshin e portës gjeorgjiane.
Disa minuta më pas, Mirlind Daku i sapo futur në lojë, pasi zëvendësoi Indrit Tucin pati një tjetër mundësi të mirë shënimi.
Goditje dënimi e Asllanit, topi i dërguar në qendër të zonës gjeti Dakun, i cili goditi me kokë, por pa kthyer topin në portë.
Vetëm dy minuta më pas Tomas Strakosha i mohoi golin vendasve. Mikautadze e pa veten bosh në qendër të zonës dhe gjuajti sapo pa portën, Strakosha ndali gjuajtjen e tij të parë dhe pastaj Ismajli të dytën.
Pjesa e parë e ndeshjes përfundoi me rrjeta të paprekura.
Vendasit patën mundësinë më të mirë për të kaluar në avantazh në minutën e 5. Aksion i rrezikshëm i gjeorgjianëve nga e djathta, harkimi në qendër gjeti Zivzivadze i cili për fat nuk ia doli të gjuante në portën kuqezi. Më pas Shqipëria provoi të ushtronte presin duke krijuar disa raste të rrezikshme, por pa mundur t’i finalizonte.
Në minutën e 11 pati drithërima në portën tonë, pasi Davitashvili u shfaq para portës dhe gjuajti, duke gjetur devijimin vendimtar të Strakoshës, i cili dërgoi topin në këndore.
4 minuta më vonë, Shqipëria pati rastin më të mirë për të zhbllokuar ndeshjen. Asani nisi Tucin në thellësi, me këtë të fundit që gjuajti, por gjeti përgjigjen e portierit të vendasve.
Minutat në vazhdim folën thuajse totalisht për Gjeorgjinë, duke krijuar raste të njëpasnjëshme, por pa arritur të ndëshkonin portën e Strakoshës.
Me këtë fitore, Shqipëria ngjitet në vendin e parë me 6 pikë, po aq sa kanë Gjeorgjia dhe Çekia, por këta të fundit kanë një ndeshje më pak për të luajtur, atë kundër Ukrainës, që do të luhet në orën 20:45.
Ndeshjen e ardhshme, Shqipëria do ta luajë në “Air Albania” përballë Çekisë më 16 nëntor, ku do të kërkojë patjetër 3 pikët për të mbajtur gjallë shpresat për kualifikimin në Ligën A.
Lini një Përgjigje