
Me Brojën të dëmtuar dhe me Rei Manajn në dyshim të fortë, vetëm një mrekulli mund ta rikthejë në fushë sulmuesin e Sivaspor, Silvinjo është i detyruar të ribëjë nga e para repartin ofensiv. Lajmi i mirë është rikthimi i Mirlind Dakut, me qendërsulmuesin që mbetet alternativë e vetme për majën e sulmit.
Gjithsesi, në arsyetimin pse la jashtë Evropianit Myrto Uzunin, tekniku brazilian theksoi se ai dhe stafi i tij e shohin beratasin si qendërsulmues, në këtë optikë, lajmi i mirë është se Uzuni po kalon një moment të shkëlqyer me dy gola dhe një asist në 3 ndeshjet e fundit.
Rolin e qendërsulmuesit, në kushte emergjence mund ta bëjë edhe Taulant Seferi, i cili në Turqi po kap formën e tij më të mirë me 2 gola në 2 ndeshjet e fundit. Pjesa tjetër e fazës ofensive është e gjitha në dispozicion dhe në kushte optimale. Jasir Asani është rikthyer lider tek ekipi i tij, ndërsa Nedim Bajrami po shkëlqen me fanelën e Gllasgou Rejnxhërs në Skoci.
Sipas të gjithë gjasave, Silvinjo pritet të grumbullojë në këto dy takime në Ligën e Kombeve edhe Ernest Muçin, me sulmuesin që nuk u përfshi në dy sfidat e para. Muçi zbriti titullar të hënën për Beshiktashin.
Një mungesë e sigurt është ajo e Medon Berishës, pasi drejtori sportiv i Leçes konfirmoi se lojtari është jashtë, shpresojnë që të rikuperohet pas pauzës që sjellin ekipet përfaqësuese.
Një risi në këtë listë të Silvinjos për takimet kundër Republikës Çeke dhe Gjeorgjisë pritet të jetë Adrion Pajaziti, talenti i Shpresave që dhuroi spektakël përballë Zvicrës me një “dopietë” golash duke mbajtur në lojë “vogëlushët” e Alban Bushit.
Lini një Përgjigje