TAGS-AT E JAVËS

Sport23 Qershor 2024, 19:06

Shqipëria luan “ndeshjen e jetës”, Silvinjo: Spanja më e mira e grupit, por ne nuk dorëzohemi!

Shkruar nga Pamfleti

Shqipëria luan “ndeshjen e jetës”, Silvinjo: Spanja

Do bëjmë performancën më të mirë

Shqipëria luan nesër në orën 21:00 “ndeshjen e jetës” në “EURO 2024”. Kuqezinjtë do të përballen me Spanjën në stadiumin e Dyseldorfit ku do të kërkojnë fitoren ndaj “Furia Roha” për të siguruar për herë të parë në histori kualifikimin për në raundin e 1/16.

Silvinjo pritet të hedhë në fushë formacionin më të mirë, ndërsa Spanja nga ana tjetër do të zbresë me formacionin e dytë, ashtu siç ka bërë me dije pak ditë më parë trajneri, Luis De La Fuente.

Në konferencën për shtyp para ndeshjes me Spanjën tekniku brazilian, Silvinjo u shpreh se nesër ndaj Spanjës do të luajmë kundër një prej skuadrave më të mira në botë.

Është emocionuese. Spanja më ka pritur mua dhe familjen time. Kam luajtur atje, njoh njerëz. Për mua të luaj kundër Spanjës është fantastike. Do jetë ditë që nuk do e harroj. Nga ana tjetër jam i lumtur që drejtoj skuadrën shqiptare. Mundësi shumë e madhe për ne, do dalim nesër të luajmë me një prej skuadrave më të mëdha në botë.

E dini më mirë se unë që Spanja e ka në ADN-në e vet të mbajë topin. Kjo skuadër spanjolle ka diçka tjetër, lojtarë të rrezikshëm në krah. Ka më shumë cilësi. Natyrisht i kam vëzhguar në muajt e fundit, janë shumë të mirë në mbrojtje, ata lejojnë shumë pak hapësirë. Janë shumë mirë të organizuar. Spanja mund të jetë skuadra më e mirë në grup. Kështu që patjetër janë skuadër e mirë. Kemi ndeshje të vështirë nesër, por dhe ne kemi lojtarë ambiciozë dhe të emocionuar për nesër.

Kam shkuar me Zabaletën, 1 ditë pas ndeshjes sonë, i dimë të gjithë kundërshtarët e grupit tonë. Skuadër që të impresionon. De la Fuente ka bërë punë të mrekullueshme. Lojtarët e mi janë të guximshëm, do dalin në fushë të japin çdo gjë që munden. Kemi një mundësi, çdo gjë mund të ndodhë. Do shkojmë për të luajtur.

Është avantazh të shënosh i pari, por ky është Europiani i dytë. Kemi lojtarë të rinj që janë përmirësuar dhe po tregojnë çfarë mund të bëjnë. Ka të bëjë dhe me përvojën.

Shumë njerëz mendonin që do pësonim shumë gola dhe ndeshja e fundit nuk do kishte rëndësi. Jemi shumë të lumtur që jemi në “Grupin e Vdekjes” dhe do shkojmë në këtë ndeshje për të fituar diçka.

Unë jam i ri. Është ndeshje me rëndësi dhe që nuk do e harroj. Të luaj kundër Spanjës, jam gjysmë spanjoll dhe brazilian. Është ndeshje me rëndësi.

Kemi punuar me skuadrën kombëtare me muaj të tërë. Kemi qenë në Tiranë dhe kemi parë përkushtim të madh dhe besim nga njerëzit që punojnë për këtë skuadër. Në Shqipëri ka 3 milionë shqiptarë, por dhe 10 milionë në botë. Gjeneratat e tanishme po gëzojnë ndeshjet e kombëtares në Europian. Po bëjmë punë shumë të mirë. Ne do luajmë tërë 90 minutat. Nëse kalojmë grupin, dhe më mirë. Do jetë kënaqësi të luajmë në mesin e 16 skuadrave më të mira. Do bëjmë performancën më të mirë. Është fantastike", u shpreh Silvinjo.

Pak minuta më parë në konferencë për shtyp ishte edhe Berat Gjimshiti. Kapiteni i kombëtares shqiptare u shpreh se skuadra do të përpiqet ta bezdisë Spanjën, teksa nuk e ka mendjen te gjobat e dhëna nga UEFA.

Besoj që të gjthë çunat janë gati për këtë sfidë nesër, kemi ende mundësi për të kaluar grupin, të propvojmë ta bezdisim Spanjën. Nuk ndikon aspak formacioni i dytë, e dimë kë kemi përballë dhe kjo është gjëja me e rëndësishme, nuk e besojmë që do të luajnë me ekipin e dytë.

Duhet të fokusohemi në ndeshjen e nesërme, Daku ka bërë një gabim por kërkoi falje. Do kemi një kundërshtar të vështirë dhe kjo është ajo për të cilën duhet të fokusemi. Asgjë nuk është e pamundur në jetë, por do të jetë ndeshje e vështirë, duhet të tregojmë pse jemi këtu, dhe do tentojmë të bëjmë më të mirën nesër. Nuk jam këtu për të folur për gjobat e vendosura nga UEFA, do të kemi shumë tifozë dhe duhet të besojmë në veten tonë”, përfundoi Gjimshiti.

Çfarë i duhet Shqipërisë, për t’u kualifikuar në raundin tjetër?

Shqipëria do të kalojë në raundin e 1/16 si nënkampione e grupit nëse mposht Spanjën dhe Kroacia mund Italinë, duke u siguruar që Shqipëria të përfundojë përpara Kroacisë në diferencën e përgjithshme të golave ose më pas golat e përgjithshëm të shënuar, ose më pas pikët disiplinore, ose më pas renditjen e Kualifikueseve Evropiane. Shqipëria nuk do të mund të arrijë në 1/8 nëse humbet, ose nëse barazon dhe Kroacia mund Italinë./Pamfleti

 

silvinjo trajneri i kombëtares shqiptare ndeshja me spanjën

Lini një Përgjigje