
Ylber Ramadani është shndërruar në një lider të padiskutueshëm në skuadrën e Leçes këtë sezon. Performancat e tij të shkëlqyera në Serinë A italiane i konfirmojnë edhe statistikat.
Mesfushori i Kombëtares shqiptare renditet i treti në 5 kampionatet kryesore të Europës me 88 ndërhyrje të sakta këtë vit futbollistik. Ramadani lë pas emra të rëndësishëm të mesfushës si kapiteni i Juventusit, Lokateli, Kasemiro apo Deklan Rajs.
Përpara tij janë dy lojtarë të tjerë, Linen i Verder Bremenit dhe kapiteni i Sandërlendit, Granit Xhaka. Ky i fundit numëron 103 ndërhyrje të sakta në Premier Ligë, duke konfirmuar edhe një herë tjetër impaktin e jashtëzakonshëm që ka pasur me rikthimin në kampionatin anglez.
Sa i përket Ramadanit, ai është një nga lojtarët që vrapon më shumë në Serinë A. Këtë sezon në Itali ai i ka luajtur të gjitha ndeshjet si titullar, duke u shndërruar në një lojtar kyç për formacionin e Di Françeskos.
Ndryshe ka qenë situata e tij në Kombëtaren shqiptare, ku në edicionin e fundit e humbi vendin e titullarit për shkak të performancave pozitive që bëri mesfushori Juljan Shehu.
Lini një Përgjigje