Al-Nassr ka nisur lëvizjet për të siguruar një emër të madh në pankinë për sezonin e ardhshëm, duke vendosur në krye të listës Pep Guardiolën. Sipas mediave saudite, drejtuesit e klubit kanë kontaktuar trajnerin katalanas përpara se ai të njoftonte zyrtarisht largimin nga Mançester Siti.
Konfirmimi për kontaktet ka ardhur nga agjenti i Guardiolës, Josep Maria Orobitg, i cili bëri të ditur se bisedimet e para janë zhvilluar rreth një muaj e gjysmë më parë. Megjithatë, ai theksoi se nuk ka pasur asnjë marrëveshje konkrete apo ofertë zyrtare të firmosur.
Oferta rekord për Guardiolën
Sipas gazetës saudite Al-Jum, Al-Nassr i ka propozuar Guardiolës një kontratë me vlerë 150 milionë dollarë në sezon, çka do ta bënte trajnerin më të paguar në historinë e futbollit. Megjithatë, përfaqësuesi i teknikut spanjoll i ka mohuar këto shifra, duke i konsideruar të ekzagjeruara raportimet mediatike.
Burime pranë trajnerit bëjnë të ditur se Guardiola po mendon të marrë një periudhë pushimi pas eksperiencës intensive te Mançester Siti dhe nuk e sheh Arabinë Saudite si destinacionin e radhës në karrierë.
Roberto Martínez në skenë
Me mundësinë e transferimit të Guardiolës që duket gjithnjë e më e vështirë, Al-Nassr ka nisur të shqyrtojë alternativa të tjera. Emri që po fiton më shumë terren është ai i Roberto Martínez.
Trajneri aktual i kombëtares së Portugalisë pritet të largohet pas Botërorit 2026, gjë që mund të hapë rrugën për një ribashkim me Kristiano Ronaldon në Arabinë Saudite.
Ndërkohë, Horge Zhesus, i cili udhëhoqi Al-Nassr drejt titullit kampion në Saudi Pro League, ka konfirmuar largimin nga skuadra. Në deklaratat e tij, tekniku portugez përdori edhe tone ironike ndaj situatës me Guardiolën, duke thënë se spanjolli “duhet të ndihet i nderuar” nëse e zëvendëson atë.
Zhesus zbuloi gjithashtu se Kristiano Ronaldo kishte pasur ndikim të madh në vendimin e tij për të marrë drejtimin e klubit saudit.
Ronaldo mbetet pika kyçe
Kristiano Ronaldo vazhdon të jetë figura kryesore e Al-Nassr-it. Portugezi e mbylli sezonin si golashënuesi më i mirë i ekipit me 27 gola në të gjitha kompeticionet, duke ndihmuar skuadrën të fitojë titullin kampion.
Sulmuesi 41-vjeçar tashmë ka nisur përgatitjet për Botërorin 2026, ndërsa e ardhmja e pankinës së Al-Nassr mbetet ende e hapur. Edhe pse kontaktet me Guardiolën kanë qenë reale, drejtuesit sauditë duket se po orientojnë vëmendjen drejt Roberto Martínez.
Lini një Përgjigje