Bajerni i Mynihut ka kurorëzuar sezonin me një tjetër sukses, duke fituar Kupën e Gjermanisë pas triumfit në kampionat. Në finalen e luajtur në “Olympiastadion” të Berlinit, bavarezët triumfuan me rezultatin e pastër 3-0 ndaj Shtutgartit.
Pjesa e parë e takimit u karakterizua nga ritëm i ulët dhe mungesë rastesh të pastra shënimi nga të dyja skuadrat. Megjithatë, sfida mori tjetër rrjedhë në minutën e 55-të, kur Majkëll Olize harkoi saktë në zonë dhe Herri Kejn realizoi me kokë për t’i dhënë epërsinë Bajernit.
Skuadra e Vinsent Kompani pati mundësinë të dyfishonte shifrat në minutën e 61-të, por Konrad Laimer nuk arriti të konkretizonte një rast të artë, duke e dërguar topin mbi traversë.
Në minutën e 80-të, Herri Kejn vulosi praktikisht fatin e finales. Sulmuesi anglez fillimisht goditi shtyllën, por më pas reagoi shpejt dhe e dërgoi topin në rrjetë pas asistit të Luis Diaz.
Në kohën shtesë, Kejn kompletoi tregolëshin personal nga pika e bardhë e penalltisë, pasi Anxhelo Stiler preku topin me dorë brenda zonës.
Me këtë fitore, Bajerni i Mynihut ngre për herë të 21-të në histori trofeun e Kupës së Gjermanisë, duke mbyllur sezonin me dy trofe madhorë.
Lini një Përgjigje