
Serie A e futbollit italian vijon këtë të dielë me ndeshjet e raundit të 22-të, ku Genoa, Atalanta dhe Sassuolo siguruan tri pikë të rëndësishme, ndërsa mbrëmja rezervon përballje mjaft të forta.
Në stadiumin “Luigi Ferraris”, Genoa përmbysi 3-2 Bolognan në një ndeshje spektakolare. Miqtë kaluan të parët në avantazh me golat e Ferguson dhe Otoa (autogol), por vendasit reaguan fuqishëm duke përmbysur rezultatin falë golave të Malinovsky, Ekuban – ish-sulmuesi i Partizanit – dhe Junior Messias. Në stol për Genoa, për herë të dytë radhazi, ishte edhe sulmuesi i përfaqësueseve të moshave të Shqipërisë, Joi Nuredini.
Atalanta u rikthye te fitorja me një triumf të thellë 4-0 ndaj Parmës në Bergamo. Scamacca shënoi nga pika e bardhë dhe De Roon realizoi në pjesën e parë, ndërsa Raspadori dhe Krstovic vulosën rezultatin në fraksionin e dytë. Për Atalantën, 45 minutat e para i luajti mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, i cili u rikthye në fushë pas një dëmtimi.
Në “Mapei Stadium”, Sassuolo mjaftohej me një gol të shpejtë të Fadera-s që në minutën e tretë për të mposhtur 1-0 Cremonesen.
Lini një Përgjigje