TAGS-AT E JAVËS

Sport11 Mars 2025, 15:15

Serbia në grup me Shqipërinë, kapiteni serb shtrohet në spital për probleme kardiake

Shkruar nga Pamfleti

Serbia në grup me Shqipërinë, kapiteni serb shtrohet në

Zemra e Aleksandër Mitroviç ka pësuar një çrregullim të papritur dhe shqetësues: ritmi i tij kardiak ka regjistruar një aritmi të pazakontë, një gjendje që e ka shtyrë klubin e tij (Al-Hilal) të ndërmarrë masa dhe ta shtrojë në spital për kontrolle mjekësore. Situata duket nën kontroll dhe disfunksioni mendohet të jetë shkaktuar nga stresi dhe lodhja, por lojtari nuk do të rikthehet në stërvitje dhe në fushë pa marrë më parë miratimin e mjekëve. Për këtë arsye, klubi synon të menaxhojë çështjen me shumë kujdes, ndërkohë që pritet një vlerësim më i qartë mbi kohën e mungesës së sulmuesit serb: nëse ai do të mund të kthehet së shpejti apo do t’i duhet një pauzë më e gjatë.

Mitroviç e kishte shijuar sërish emocionin e garës të premten e kaluar, kur u rikthye në fushë (madje edhe me gol) në ndeshjen e fituar kundër Al-Fajha në Saudi Pro League. Ai ishte kthyer pas një dëmtimi në tendinën e gjurit, i cili e kishte detyruar të ndalonte që nga 7 janari, kur u lëndua në çerekfinalen e kupës kombëtare kundër Al-Itihad. Fillimisht, u vlerësua se rikuperimi i tij do të zgjaste tre javë, por koha e rikthimit u zgjat (u deshën dy muaj për t’u rikuperuar plotësisht), pa u dhënë shumë detaje të tjera mbi gjendjen e tij.

Deklarata e Al-Hilal

Deklarata zyrtare e klubit saudit dha që në fillim disa detaje mbi shqetësimin e Mitroviç, duke përmendur aritmi që nuk lidhet me ndonjë sëmundje specifike, por me një situatë lodhjeje: “Ai mbetet nën vëzhgimin e specialistëve dhe rasti i tij do të monitorohet vazhdimisht”.

Mungesë e madhe për Serbinë

Mungesa e tij para fillimit të kualifikueseve të Botërorit 2026 është një goditje e rëndë për Serbinë, që e ka sulmuesin një nga pikat më të forta. Mjafton të hedhësh një vështrim te shifrat për të kuptuar peshën e tij për repartin ofensiv: në kampionat me Al-Hilal ka realizuar 13 gola në 14 ndeshje, megjithëse ka humbur rreth dhjetë ndeshje për shkak të një dëmtimi; numra që bëhen më të rëndësishëm nëse referohemi në rendimentin e përgjithshëm të sezonit, 25 gola në 21 ndeshje, përfshirë Ligën e Kampionëve Aziatike (5 gola në 6 ndeshje).

aleksandër mitroviç kapiteni i serbisë kualifikueset e botërorit

Lini një Përgjigje