
Edhe një orë na ndajnë nga starti i sfidës më të rëndësishme të këtij edicioni të Ligës së Kombeve mes Shqipërisë dhe Çekisë, e vlefshme për Grupin B1.
Në rrugët e kryeqytetit spektakli ka filluar para kohe. Në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ka nisur festa e tifozëve kuqezi, ku me këngë, brohorima e spektakël piroteknik me ngjyrat kuq e zi, tifozët po i drejtohen stadiumit për të ndjekur sfidën.
Gjithashtu vërehet atmosfera festive që mbizotëron. Tupanat dhe këngët patriotike janë gjithmonë të pranishëm pranë grumbullimit të tifozëve të Kombëtares. Atmosfera e zjarrtë pritet edhe në stadium, pasi janë shitur të gjitha biletat për këtë takim.
Tifozët e mbërritur nga të gjitha trevat shqipfolëse nuk i kursyen elozhet për ekipin, ndërsa njëri prej tyre nuk ngurroi t’i dërgonte mesazh edhe serbëve.
Më shumë se 21 mijë tifozë të Kombëtares do jenë sot në 20:45 në "Air Albania". Prej javësh stadiumi është "sold-out" dhe tanët do kenë me vete si përherë 'lojtarin e 12’.
Kuqezinjtë janë në vendin e katërt në grupin B1 me 6 pikë të grumbulluara. Në krahun tjetër, çekët kryesues nuk janë larg, pasi kanë vetëm një pikë më shumë se përfaqësuesja jonë. Arbitër kryesor për këtë takim është zvicerani Scharer.
Lini një Përgjigje