TAGS-AT E JAVËS

Sport14 Dhjetor 2023, 20:59

Roma feston me fitore Ligën e Europës, Ernest Muçi udhëheq polakët dhe kalon grupet e Ligës së Konferencës

Shkruar nga Pamfleti

Roma feston me fitore Ligën e Europës, Ernest Muçi udhëheq

Roma ka triumfuar 3-0 ndaj Sherifit të Tiraspolit, duke mbyllur me fitore fazën e grupeve të Ligës së Europës. Moldavët u dorëzuan pa kushte që në 30 minutat e para. I zakonshmi Romelu Lukaku zhbllokoi llogaritë në minutën e 11, pas një asisti të Zalevskit. Më pas, Belotti dërgoi topin pas shpinës së portierit Koval. Skuadra e Murinjos qetësoi lojën në pjesën e dytë, duke administruar rezultatin. Në fund, edhe Pisili la  gjurmë.

Sa i takon renditjes përfundimtare në grupin G, Slavia e Pragës kualifikohet si vendi i parë me 15 pikë, falë suksesit 4-0 me Serveten. Roma vazhdon rrugëtimin në këtë kompeticion si vend i dytë, me 13 pikë.

Në grupin E, humbje 2-1 e Liverpulit ndaj Union Sent Zhilois, por që nuk prish punë për djemtë e Klopit. Vendi i parë i takoi anglezëve, me 12 pikë. Në grupin H, Leverkuseni nuk toleron dhe mbetet skuadra perfekte. 6 ndeshje, 18 pikë për ekipin e Alonsos, që pret një biletë për në fazën tjetër, bashkë me Karabagun.

Renesi dhe Vijarreali në grupin F, mbeten skuadra pretendente për kompeticionin.

Në Ligën e Konferencës u kualifikuan skuadra si PAOK-u, Frankfurti, Ludogoretsi, Fenerbahçe, apo edhe Fiorentina. Sa i takon Legias së Muçit, polakët festojnë avancimin në këtë kompeticion, pasi kaluan 2-0 holandezët e AZ Alkmar.

Ribeiro ishte autori i golit të parë, ndërsa ekipi holandez u penalizua edhe me kartonin e kuq që mori Martins në minutën e 53. Gjithçka u vulos me golin e Kramer, kur luhej minuta e 81.

Kujtojmë se Muçi ishte dhe titullar në këtë takim, duke u zëvendësuar më pas 3 minuta para mbarimit të kohës së rregullt.

roma az alkmar legia e varshavës

Lini një Përgjigje