TAGS-AT E JAVËS

Sport28 Gusht 2024, 16:31

Rikthimi i Uzunit, pezullimi i Dakut dhe vendimi për Brojën; Silvinjo rezervon surpriza për ndeshjet e Ligës së Kombeve

Shkruar nga Pamfleti

Rikthimi i Uzunit, pezullimi i Dakut dhe vendimi për Brojën; Silvinjo

Jemi vetëm 10 ditë larg nga ripërjetimi i emocioneve kuqezi në fushën e lojës. Më 7 dhe 10 shtator, Shqipëria përballet me Ukrainën në Çeki dhe Gjeorgjinë në ‘Air Albania’ për ndeshjet e Ligës së Kombeve.

Më 2 shtator do të nisë grumbullimi zyrtar i Kombëtares me lojtarët që do të ambientohen në Tiranë, në ‘Shtëpinë e Futbollit’, ku do të zhvillojnë edhe seancat e para stërvitore. Kur afrohen ditët e Kombëtares, të gjithë bëhen kurioz për emrat që do të përbëjnë listën me 26 lojtarët e ftuar. Silvinjo do të na shuajë kureshtjen këtë fundjavë, teksa do të bëhet e ditur edhe lista zyrtare me 26 futbollistët e grumbulluar.

Priten surpriza, teksa dilemat në kokën e brazilianit janë të shumta duke filluar që nga porta deri në majën e sulmit. Simon Simoni dhe Elhan Kastrati janë në balotazh për pozitën e portierit të tretë, ndërsa në mbrojtje stafi kuqezi po shqyrton me kujdes gjendjen e Arlind Ajetit, i cili vijon të jetë i dëmtuar prej 1 muaji. Po në repartin difensiv po shihen mundësitë për zëvendësuesin e Mario Mitajt, i cili në Europian ishte Naser Aliji, por nuk përjashtohen surpriza të tjera.

Mesfusha duket reparti më i konsoliduar me treshen Asllani, Ramadani, Bajrami dhe menjëherë pas tyre është Qazim Laçi në gatishmëri për një fanelë titullare. Megjithatë, tërheqja e Klaus Gjasulës nga Kombëtarja ka hapur rrugën për emra të rinj.

Në repartin e sulmit ka një sërë dilemash. I pari është Armando Broja i cili ka një dëmtim në tendinën e akilit e cila i prishi transferimin te Ipsëich. Sulmuesi është në garë me kohën dhe pritet për t’u parë nëse do të jetë gati apo jo.

Një tjetër dilemë është ajo e Mirlind Dakut. Bomberi “Dardan” u dënua me 2 ndeshje pezullim nga UEFA dhe njërën prej tyre e shleu me Spanjën. Ndaj Ukrainës është e sigurtë mungesa e tij, ndërsa do të jetë i gatshëm për të luajtur ndaj Gjeorgjisë. Por, duhet parë vendimi i Silvinjos nëse do ta ftonte Dakun vetëm për 1 ndeshje duke qenë i vetëdijshëm që në sfidën e parë nuk luan dot.

Një nga balotazhet më të mëdha që trajneri ka pas Europianit është ai mes Taulant Seferit dhe Myrto Uzunit. Ekziston mundësia që të dy të thirren, me njërin prej tyre që mund të luajë edhe rolin e zëvendësuesit të Asanit në krahun e djathtë.

Duke parë edhe paraqitjen në “EURO 2024”, Silvinjo pritet të paraqesë në fushë një Shqipëri më ofensive ku do t’i besohet një rol i rëndësishëm Arbër Hoxhës, i cili magjepsi këdo në krahun e majtë të sulmit. Shqipëria ka krijuar një bosht kryesor me një grup prej 15-16 lojtarësh kryesorë, por surprizat kanë qenë gjithnjë ‘karakteristikë’ e Silvinjos, ndaj mbetet për t’u parë lista finale për të patur një ide më të qartë për Shqipërinë post “EURO 2024”.

silvinjo trajneri i kombëtares shqiptare ndeshjet e ligës së kombeve

Lini një Përgjigje