
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Rei Manaj, ka shprehur publikisht mbështetjen e tij për përfaqësuesen e Kosovës, në prag të ndeshjes vendimtare ndaj Turqisë për një vend në Kampionatin Botëror.
Përmes një “story”-i në rrjetin social Instagram, Manaj ka publikuar një video simbolike, ku shfaqen dy djem krah për krah, të shoqëruar me simbolet përkatëse kombëtare. Krahas videos, ai ka përcjellë një mesazh motivues: “Hajde zemra e Shqipërisë. Ec kampion i vogël, bëje për ne”.

Takimi mes Kosovës dhe Turqisë do të zhvillohet mbrëmjen e sotme në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe konsiderohet si një përballje vendimtare për kualifikimin në Botëror.
Ndërkohë, emri i Rei Manajt mbetet i lidhur fort me një nga momentet më të rëndësishme të futbollit shqiptar, pas golit të fitores ndaj Serbisë në Leskovc, më 11 tetor 2025,një ngjarje që ka mbetur e skalitur në kujtesën e tifozëve shqiptarë.
Lini një Përgjigje