
Reali i Madridit nuk ka shkuar më shumë se barazimi 1-1 në “Pamplona” ndaj Osasunës, në ndeshjen e vlefshme për javën e 24 në La Liga.
Një ndeshje me shumë polemika dhe kundërshti të mëdha nga “Los Blancos” për mënyrën si arbitrioi Hoze Munuera Montero, që me siguri nga sot do jetë “armik” për Realin. Madrilenët e filluan shumë mirë takimin, duke gjetur golin në minutën e 15 me Kilian Mbape, pas asistit të Valverde.
Ndërkohë një episod i çuditshëm ndodhi në minutën e 39, ku Xhud Belingam u ndëshkua me karton të kuq për ankesa ndaj arbitrit kryesor dhe ky i fundit nuk e fali duke e nxjerrë direkt nga fusha. Anglezi kishte bërë më parë një ndërhyrje jo të rregullt dhe i tha diçka arbitrit, dhe mesa duket ky i fundit nuk e fali por i tregoi direkt të kuqin.
Pak minuta më parë, u ndëshkua për protesta edhe Karlo Ançeloti me karton të verdhë. Po ashtu në minutën e tretë të takimit, Reali pretendoi për një penallti për prekje topi me dorë brenda zonës, por arbitri Hoze Munuera Montero mendoi ndryshe.
Vendasit barazuan shifrat me Budimir 1-1 në minutën e 58, nga pika e bardhë e penalltisë, e cila po ashtu pati kontestime të mëdha nga ekipi i Realit.
Shifrat nuk ndryshuan deri në fund, Reali del vetëm me një pikë nga përballja me Osasunën, duke i bërë një nder të madh Atletikos dhe Barcelonës. Reali momentalisht kryeson me 51 pikë, Atletiko vjen e dyta me 49 pikë dhe Barcelona e treta me 48 pikë. “Kolçoneros” do të presin nesër në shtëpi Selta Vigon, ndërsa Barcelona të hënën do të luajë në fushën e saj ndaj Vajekanos.
Lini një Përgjigje