
Përfundon epoka “Gjici” në klubin e Kukësit! Verilindorët kanë ndërruar pronësi, teksa tashmë të gjitha aksionet janë shitur.
Bëhet me dije se blerësit e klubit verilindor janë dy persona, një shtetas i huaj, nga Letonia dhe një shqiptar, identiteti i të cilëve nuk është zbuluar ende.
Marrëveshja për shitjen e aksioneve është arritur këtë të martë dhe tashmë klubi verilindor është gati të nisë një epokë të re, këtë herë pa familjen Gjici.
Duket se në klubin verilindor tashmë ka nisur një cikël i ri. Pronarët e rinj kanë tashmë 100% të aksioneve, teksa zyrtarizimi i marrëveshjes së kalimit të pronësisë pritet të bëhet më 10 gusht.
Gjithashtu mësohet se drejtor teknik i klubit verilindor pritet të emërohet ish-mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Renato Arapi, ndërsa drejtori sportiv do të vijë nga Letonia, me identitetin që mbetet ende për t’u zbuluar.
Gjatë ‘regjimit’ të familjes Gjici, Kukësi përjetoi epokën e tij më të artë duke u ngjitur në elitën e futbollit shqiptar aty ku fitoi 1 titull kampion, 2 Kupa dhe 1 Superkupë, si dhe kalimi i disa tureve në kualifikueset europiane, ku arritja më e lartë ishte në sezonin 2013-2014 ku shkuan deri në Play-Off të Ligës së Europës
Këtë sezon Kukësi do të garojë në Kategorinë e Parë, aty ku u kthye pas më shumë se një dekade, teksa ambicia e pronarëve të rinj është që ta rikthejnë sërish në elitën e futbollit shqiptar.
Nën drejtimin e Safet Gjicit, Kukësi përjetoi një periudhë të artë në futbollin shqiptar, duke fituar të gjithë trofetë e mundshëm dhe garuar disa herë në turet eliminatore të kompeticioneve europiane.
Lini një Përgjigje