
Armando Broja vazhdon të jetë në qendër të merkatos, ku disa ekipe kanë shfaqur interes për shërbimet e tij. Prej muajsh tashmë flitet për një largim nga Çelsi, por deri më tani asnjë ofertë nuk ka bindur drejtuesit për të lënë të lirë shqiptarin.
Gazetari i njohur anglez, Iomie Stanley ka folur për këtë situatë për “icfootballnews”. Anglezi ka theksuar se do të ishte shumë e çuditshme që Broja të mbetej pjesë e Çelsit pas merkatos së verës. Gjithashtu Stanley zbuloi edhe disa nga arsyet se pse deri tani nuk ka një marrëveshje të arritur për transferimin e 22-vjeçarit.
“Duket se klubet janë të gatshme vetëm të firmosin me Brojën në formë huazimi më shumë se sa një transferim përfundimtar. Kjo është arsyeja pse ai është ende në klub.
Është raportuar se Çelsi kërkon 40 milionë paund për sulmuesin, një tjetër arsye pse ai vazhdon të jetë aty, por do të ulin kërkesën e tyre sa më shumë afron fundi i dritares së merkatos. Unë do të çuditesha shumë po ta shihja Brojën ende te Çelsi në fillimin e shtatorit, ai do të largohet para fundit të merkatos”, ka deklaruar gazetari anglez.
Lini një Përgjigje