TAGS-AT E JAVËS

Sport11 Shkurt 2026, 18:44

Partizani bën surprizën në fund, të kuqtë fitojnë pas 99 minutash në Elbasan

Shkruar nga Pamfleti

Partizani bën surprizën në fund, të kuqtë fitojnë

Partizani mori një fitore 1-0 në transfertë në ndeshjen e parë të Kupës së Shqipërisë, duke siguruar avantazh minimal për takimin e kthimit.

Pjesa e parë prodhoi dominim të skuadrës vendase, e cila krijoi disa raste të pastra shënimi përballë portierit Janaçek. Sulmuesit shpërdoruan mundësi të njëpasnjëshme dhe nuk arritën të konkretizonin epërsinë territoriale.

Në pjesën e dytë, Partizani ndryshoi qasjen sulmuese dhe u afrua më shpesh në zonën kundërshtare. Skuadra goditi edhe shtyllën, duke sinjalizuar rritje presioni në fazën ofensive.

Momenti vendimtar erdhi në fund të ndeshjes. Me skuadrat të shtrira në fushë, Skuka u pengua nga Kasa pranë zonës. Gjyqtari fillimisht akordoi goditje dënimi jashtë zone, por më pas ndryshoi vendim dhe dha penallti.

Skuka ekzekutoi saktë nga pika e bardhë dhe shënoi golin e vetëm të takimit. Vendimi i arbitrit u kundërshtua nga lojtarët e skuadrës vendase, por rezultati mbeti i pandryshuar deri në vërshëllimën përfundimtare.

Partizani shkon në ndeshjen e kthimit me avantazh minimal, ndërsa çështja e kualifikimit mbetet e hapur.

Ndërkohë ndeshja tjetër e ditës ishte derbi i kryeqytetit Tirana-Dinamo, ku blutë e Ilir Dajës morën fitoren e dytë brenda 4 ditëve me bardheblutë. 0-2, duke ju afruar fazës gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë. Dinamovitët arritën t'i imponoheshin Tiranës që në fillim, por pjesa e parë u mbyll në barazim 0-0. Në të dytën, saktësisht në minutën e 75-të, Dinamo arriti të zhbllokonte rezultatin me Lorenco Vilën duke marrë kryesimin në 1-0.

Ndërkohë që në fundin e takimit, ja bën më të vështirë misionin Tiranës për përmbysje në ndeshjen e kthimit, me golin e dytë të shënuar nga Dejvi Bregu, i cili vulosi rezultatin përfundimtar 0-2.

Ndeshjet e kthimit të fazës çerekfinale të Kupës së Shqipërisë do të luhen më 4 mars.

 

 

partizani elbasani kupa e shqipërisë

Lini një Përgjigje