
Ndeshja e Ligës së Kombeve, Francë-Izrael, e planifikuar për t’u luajtur në “Stade de France” më 14 nëntor, do të monitorohet nga “një sistem sigurie jashtëzakonisht i përforcuar, brenda dhe jashtë stadiumit”, tha shefi i policisë Lorent Nunjez këtë të enjte, duke folur për RMC dhe BFM TV.
“Është një ndeshje me rrezik të lartë. Ne ndërhyjmë brenda një stadiumi kur na kërkohet nga organizatori, FFF-ja”,- vazhdoi ai, duke shpjeguar se po përgatitej për të gjitha hipotezat, përfshirë edhe atë të hyrjes brenda për të shmangur incidentet.
Më 24 korrik, gjatë Lojërave Olimpike, 1000 policë dhe xhandarë u mobilizuan për ndeshjen Mali-Izrael (1-1) në “Parc des Princes”, për shkak të thirrjeve për "mobilizim" kundër pranisë së delegacionit izraelit, për shkak të luftës në Gaza. Asnjë incident i dukshëm nuk ishte raportuar.
Më 6 shtator, ndeshja e Belgjikës në shtëpi kundër Izraelit (3-1) për raundin e parë të Ligës së Kombeve u zhvendos në Hungari dhe u luajt me dyer të mbyllura në Debrecen, pas refuzimit të disa qyteteve belge për të mirëpritur takimin, nga frika e incidenteve.
Lini një Përgjigje