TAGS-AT E JAVËS

Sport23 Janar 2026, 19:18

Objektivi për të sjellë 50 yje, klubet arabe nisin sulmin ndaj futbollit europian

Shkruar nga Pamfleti

Objektivi për të sjellë 50 yje, klubet arabe nisin sulmin ndaj

Klubet e Saudi Pro Ligë po përgatisin një sulm të paprecedentë ndaj futbollit europian, me objektivin për të sjellë në kampionatin arab rreth 50 lojtarë të nivelit të lartë në kulmin e karrierës. Mes emrave më të kërkuar janë Mohamed Salah, Vinicius Zhunior dhe Bruno Fernandes, simbole të një strategjie që synon të riformësojë ekuilibrat e turneut kombëtar dhe t’i japë atij një jehonë edhe më të madhe se sot.

Sipas asaj që raporton “talkSPORT”, plani mbështetet drejtpërdrejt nga qeveria saudite dhe koordinohet nga drejtori sportiv i ligës, Majkëll Emenalo. Operacioni pritet të hyjë në fazën e tij më intensive pas Botërorit të vitit 2026, edhe pse disa goditje mund të vijnë që më parë, duke përfshirë si yje të afirmuar ashtu edhe profile më të rinj të aftë për të tërhequr tregje të reja.

Salah mbetet një prioritet absolut: disa klube saudite kanë testuar tashmë terrenin, gati për t’u rikthyer në sulm pas tentativës maksimale të vitit 2023. Vëmendje edhe për Bruno Fernandes, i kërkuar nga disa shoqëri të ligës, ashtu si edhe Kasemiro, Vinicius Zhunior dhe Robert Levandovski, të gjithë të monitoruar në bazë të situatave kontraktuale dhe strategjive sportive. Ofensiva përfshin edhe protagonistë të tjerë të Premier Ligës, si Gabriel Martineli, Juri Tielemans dhe Amadu Onana, ndërsa jashtë Anglisë ëndrra më e madhe mbetet Vinicius, për të cilin thuhet se është vënë në tavolinë një ofertë faraonike.

Paralelisht, Saudi Pro Ligë po çon përpara një ristrukturim të thellë, mes privatizimeve të klubeve dhe planeve afatgjata për të mbajtur të lartë tërheqjen ndërkombëtare të kampionatit, edhe në funksion të së ardhmes së Kristiano Ronaldos.

Shumë klube saudite po hyjnë në një fazë riorganizimi shoqëror dhe, në periudhë afatmesme-afatgjatë, parashikohet kalimi në struktura të reja pronësie për të katër klubet nën kontrollin e PIF: Al Hilal, Al Nasr, Al Itihad dhe Al Ahli.

Ndërhyrja e fondit sovran në vitin 2023 ishte menduar si e përkohshme dhe Al Hilal duhet të jetë i pari që do të ndryshojë pronësi, me Ministrinë e Sportit tashmë të angazhuar në procesin e kalimit te një investitor privat. Parashikohen ndryshime të mëdha në të ardhmen e afërt dhe vështrimi ndaj asaj që po ndodh në Arabi, si nga pikëpamja sportive ashtu edhe politike, duhet të jetë shumë i vëmendshëm.

liga arabe vinicius zhuni salah

Lini një Përgjigje