
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi në një intervistë për “Kosova Press” është shprehur se Kosova është kombëtarja favorite në grupin e Ligës së Kombeve që nis në muajin shtator.
“Dardanët” ndodhen në grupin 2 të Ligës së Kombeve së bashku me Qipron, Lituaninë dhe Rumaninë, por Ademi tha se përgatitjet e duhura dhe forma e mirë e lojtarëve të Kosovës në klubet e tyre tregojnë se Kosova është një hapa para rivalëve të grupit.
“Nëse i shohim përgatitjet e tashmë dhe formën e futbollistëve tanë, me trajnerin e ri Foda, me prurjet e reja, sigurisht që jemi më të fortë dhe do të jemi më të fortë. Synimi ynë është i qartë, por prapë se prapë nuk mund të flasim për zhvillim dhe nuk ka zhvillim për ekipin kombëtar sepse dihet çfarë lojtarësh kemi, ku luajnë në cilat liga dhe mendoj që tani ne na duhet kualifikimi dhe gjithmonë synim kemi kualifikimin dhe sigurisht që do të shkojmë prapë për kualifikim sepse mendoj që edhe në këtë grup që kemi ne jemi ekipi favorit”, theksoi Ademi.
Madje, kreu i FFK-së shprehet se zhvillimi i futbollit në Kosovë është në rrugën e duhur dhe premton se brenda dy viteve këtij sporti nuk do t’i mungojë asgjë, e as infrastruktura.
“Ne po i bëjmë të gjitha paradispozitat për të qenë një prej federatave më moderne dhe si federatë e vogël që jemi e kemi edhe shumë më të lehtë çështjen e infrastrukturës dhe mendoj që futbolli i Kosovës për dy vite do t’i heq të gjitha dilemat për futbollin dhe do të ketë mjetet e nevojshme dhe resurset e nevojshme për t’u zhvilluar deri në maksimum sepse e ka edukimin, infrastrukturën bazike, projektet dhe programet e tilla…Mund të them lirisht që për dy vite, Kosova do t’i ketë edhe stadiumet në të gjitha nivelet që nuk do të diskutohet më kjo pjesa e kemi apo nuk e kemi atë”, shtoi Ademi.
Në vazhdën e infrastrukturës, Kosovës vazhdon t’i mungojë një stadium kombëtar, por Ademi thotë se vendndodhja tashmë mund të jetë caktuar, por për këtë çështje, ai ka thënë për “KosovaPress”, se duhet të flasë Ministria e Sportit.
“Nuk kam më shumë njoftime se sa ju që e keni këtë, por uroj që të bëhet sa më shpejt, kurdo që të bëhet, vetëm të bëhet. Unë mendoj që është i caktuar vendi ose lista, është çështje e ministrisë, por kur ata të na thërrasin nëse iu duhet diçka në aspektin e futbollit, sigurisht që jemi të gatshëm për të bashkëpunuar”, theksoi Ademi.
Pak muaj më parë, bujë të madhe bëri lajmi i bashkëpunimit të Federatës së Futbollit të Shqipërisë me atë të Serbisë për organizimin e Kampionatit Evropian “Euro 2027” për U-21, por Ademi pranoi se ky lajm nuk i ka pëlqyer aspak dhe është vendim i FSHF-së.
“A më ka pëlqyer? OK, e kam thënë dhe nuk më ka pëlqyer. Është çështje e Federatës Shqiptare që ka politikat e veta, madje Duka është edhe i UEFA-së edhe sigurisht që i di ai arsyet pse. Realisht në Kosovë nuk mund të bëhet sepse nuk i kemi ato stadiume, nëse themi që do t’i bënim deri në atë vit, nuk mund të themi sepse kur të konkurrosh duhet t’i kesh asetet dhe resurset gati…Kosova hyn në këto gara gjithsesi, por atë duhet ta mendoj UEFA sepse nuk ka faj Kosova a do apo nuk do Serbia, ne i dimë raportet që kemi. Kosova dihet që e kame shkrim që nuk luajmë me Serbinë dhe me disa shtete të tjera”, deklaroi Ademi.
I pari i FFK-së në fund bëri të ditur se në muajin mars të vitit të ardhshëm në Kosovë do të mbahet një prej ngjarjeve më të mëdha të UEFA-s që është Komiteti i Hat-trick-ut, komitet i cili është i një rëndësie të veçantë që mbledh rreth 70 përfaqësues të UEFA-së dhe do të jetë mundësi e mirë për të shfaqur imazhin e futbollit të Kosovës, por edhe mundësi për përfitimin e projekteve të reja për futbollin e Kosovës.
Lini një Përgjigje