
Përfundojnë 3 ndeshjet e raundit të 1/16 në Champions League. Ashtu si në ndeshjen e parë, edhe në ndeshjen e dytë Aston Vila ka bërë detyrën përballë Klub Bryzhit.
Anglezët kanë triumfuar me rezultatin e pastër 3-0. Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura. Belgët mbetën me një lojtar më pak pas daljes me karton të kuq Sabe në minutën e 17, pasi pengoi Markus Rashford në kufijtë e zonës së rreptësisë dhe ishte lojtari i fundit.
Marko Asensio zhbllokoi ndeshjen në minutën e 50, 7 minuta më vonë, Ian Matsen dyfishoi shifrat, ndërsa në minutën e 61 ishte sërish Marko Asensio që gjeti rrugën e rrjetës, duke realizuar golin e tretë për Aston Vilën dhe dopietën e tij personale në këtë takim.
Në çerekfinale, Aston Vila do të ndeshet me PSG. Francezët eliminuan mbrëmjen e djeshme Liverpulin, duke u treguar të saktë nga gjuajtjet e penalltive.
Në ndeshjen tjetër, Arsenali nuk ka shkuar më shumë se barazimi 2-2 përballë PSV, por “Topçinjtë” kualifikohen në çerekfinale, pasi triumfuan me rezultatin 7-1 në ndeshjen e parë.
Aleksandër Zinçenko zhbllokoi ndeshjen në minutën e 6, ndërsa Ivan Perisiç barazoi shifrat në minutën e 18. Deklan Rajs kaloi sërish ekipin e tij në avantazh me golin e realizuar në minutën e 37.
Në minutën e 70, ishte Driuesh që barazoi shifrat për holandezët, por kjo nuk mjaftoi për të bërë përmbysjen e madhe.
Në çerekfinale, Arsenali do të ndeshet me fituesin e çiftit Atletiko Madrid-Real Madrid.
Supersfida mes Atletikos së Madridit dhe Realit të Madridit është mbyllur me fitoren e ekipit të Simeones me rezultatin 1-0, duke bërë që kualifikimi të vendoset në minutat shtesë.
Atletiko zhbllokoi ndeshjen që në minutën e parë të takimit. Një aksion shumë i shpejtë i ekipit të drejtuar nga Simeone u finalizua në mënyrën e duhur nga mesfushori anglez.
Ndeshja e parë përfundoi 2-1 për Realin e Madridit.
Në minutën e 70, Reali pati shansin e artë për të barazuar ndeshjen dhe për të mbyllur kualifikimin, por Vinicius Zhunior u tregua i pasaktë nga pika e bardhë e penalltisë.
Lini një Përgjigje