La Liga ka ulur siparin për sezonin 2025-2026, me vetëm një sfidë të mbetur për t’u zhvilluar. Nesër do të luhet përballja mes Vijarrealit dhe Atletikos së Madridit, por të dy skuadrat e kanë siguruar tashmë kualifikimin në Champions League, ndaj ndeshja nuk pritet të ketë ndikim në renditje.
Barcelona, e shpallur kampione e Spanjës, e mbylli sezonin me humbje 2-1 në transfertë ndaj Valencias. Ndërkohë, Reali i Madridit triumfoi 4-2 përballë Atletik Bilbaos në “Santiago Bernabeu”. Kjo sfidë shënoi edhe paraqitjen e fundit zyrtare me fanelën madrilene për Dani Karvahal dhe David Alaba.
Në edicionin e ardhshëm të Champions League do të marrin pjesë Barcelona, Reali i Madridit, Atletiko e Madridit, Vijarreali dhe Real Betis. Selta Vigo siguroi vendin e gjashtë dhe një biletë për në grupet e Ligës së Europës. Në të njëjtin kompeticion do të luajë edhe Real Sociedad, që siguroi kualifikimin falë triumfit në Kupën e Mbretit, edhe pse kampionatin e mbylli në vendin e 10-të.
Getafe fitoi minimalisht 1-0 ndaj Osasunës dhe siguroi pjesëmarrjen në Ligën e Konferencës.
Drama më e madhe e javës së fundit u zhvillua në fundin e tabelës, ku disa skuadra luftuan për mbijetesë. Xhirona dhe Majorka janë dy ekipet që bien nga La Liga dhe i bashkohen Real Oviedos në Segunda Division.
Xhirona barazoi 1-1 ndaj Elçes, ndërsa Majorka fitoi bindshëm 3-0, por nuk arriti të shmangë rënien nga kategoria. Skuadra ku aktivizohet Vedat Muriqi u penalizua nga golavarazhi, pasi e mbylli sezonin me pikë të barabarta me Osasunën dhe Levanten.
Sulmuesi i Kosovës realizoi golin e tretë në fitoren ndaj Oviedos dhe e përfundoi sezonin me 23 gola, vetëm dy më pak se Kilian Mbape, i cili kryeson listën e golashënuesve.
Lini një Përgjigje