TAGS-AT E JAVËS

Sport 6 Shtator 2024, 22:41

Nuk ka hakmarrje nga Kosova, “Dardanët” kapitullojnë përballë Rumanisë në ‘Fadil Vokrri’ (Video)

Shkruar nga Pamfleti

Nuk ka hakmarrje nga Kosova, “Dardanët” kapitullojnë

Kosova nuk arrin të hakmerret ndaj Rumanisë. “Dardanët” janë mposhtur në “Fadil Vokrri” me rezultatin e pastër 0-3.

Jo vetëm një rezultat zhgënjyes, por edhe paraqitja la për të dëshiruar për Kosovën, që regjistroi vetëm 1 gjuajtje në portë, kundrejt 8 të miqve. 

Mundësinë e parë për gol ‘Dardanët’ e patën me anë të Vedat Muriqit në minutën e nëntë, i cili me kokë gjuajti mbi portën e portierit mysafir Nita. Në minutën e 20 Fisnik Asllani u rrëzua brenda zonës pas një kontakti me mbrojtësin rumun, por gjyqtari vendosi që ndeshja të vazhdonte. Një tjetër rast për gol për Kosovën erdhi në minutën e 31 kur Milot Rashica bëri një goditje të fuqishme, e cila u prit nga portieri rumun.

Rumunët në anën tjetër patën një mundësi të mirë shënimi me anë të Dragus në minutën e 35, por fatmirësisht gjuajtja e tij me kokë u prit me lehtësi nga Aro Muriç. Pikërisht në momentet kur më së paku pritej, Rumania arriti që të kalojë në epërsi prej 1-0 në minutën e 40 me anë të Dennis Man.

Valentin Mihaila ishte shumë afër dyfishimit të  epërsisë së mysafirëve, por gjuajtja e tij në minutën e 44 u ndal nga shtylla. 

Në pjesën e dytë, muzika nuk ndryshoi. Edhe përtej mbështetjes së tifozërisë, Kosova pësoi golin e dytë pas një penalltie të shkaktuar.


Por, në fund, erdhi dhe goli i tretë nga Rumania që nervozoi edhe tifozërinë, e cila hodhi edhe disa sende në fushë. Në fund Vojvoda u ndëshkua me karton të kuq, duke lënë "dardanët" me 10 lojtarë.


Duelin e radhës Kosova do ta luajë më datën 9 shtator në transfertë ndaj Qipros, ndërsa Rumania do të presë Lituaninë.  

kosova rumania liga e kombeve

Lini një Përgjigje