
Nuk ka fitues në ndeshjen e kthimit gjysmëfinale të Champions League mes Interit dhe Barcelonës. Ashtu si ndeshja e parë, edhe sfida e dytë dhuroi spektakël. Kualifikimi për në finalen e madhe të Mynihut do të diskutohet në shtesë.
Ndeshja e luajtur në “San Siro” përfundoi me rezultatin 3-3. Goli i parë i takimit erdhi nga zikaltërit në minutën e 21, Federico Dimarko përfitoi nga një top i gabuar i mesfushës së Barcelonës dhe pasoi për Denzel Dumfris, holandezi asistoi për Lautaro Martinez, i cili dërgoi topin në rrjetë.
Menjëherë pas golit të Interit, katalanasit u hodhën në sulm, gjatë një aksioni të shpejtë, futbollistët e Barcelonës pretenduan për prekje me dorë të Açerbit brenda zonës, por arbitri kryesor i takimit, Shimon Marshiniak, vazhdoi normalisht ndeshjen.
Në fundin e pjesës së parë, Kubarsi pengoi brenda zonës Lautaro Martinez, ndërhyri VAR, arbitri polak pa pamjet dhe akordoi penallti për zikaltrit. Topin e mori i zakonshmi Hakan Çalhanoglu, i cili u tregua i saktë dhe shënon golin e dytë për Interin. Pjesa e parë u mbyll 2-0 për zikaltrit.
Pjesa e dytë në “San Siro” nisi humë vrullshëm, katalanasit ngushtuan shifrat me golin e shënuar nga Erik Garsia në minutën e 53. Një mungesë vëmendjeje e mbrojtjes zikaltër, bëri që Barcelona të shënonte dhe të rihapte takimin.
Por Barcelona nuk u mjaftua me kaq, pas 5 minutash gjeti golin e barazimit. Dani Olmo përfitoi nga përgjumja e mbrojtjes zikaltër dhe dërgoi topin me kokë në rrjetë pas asistit të Xherard Martin.
Minutat e mbetura folën vetëm për katalanasit dhe mundi i tyre u shpërblye në minutën e 88, kur Rafinja shënoi golin e përmbysjes së madhe. Tentativa e parë e brazilianit u ndal nga Somer, por jo e dyta, topi përfundoi në rrjetë dhe Barcelona festoi golin e tretë.
Kur katalanasit po bëheshin gati të nisnin festën, Interi gjeti forcën dhe barazoi shifrat me Açerbin. Dumfris përfitoi nga një gabim fatal i Kubarsit dhe pasoi në zonë ku Açerbi bëri rolin e sulmuesit dhe dërgoi topin në rrjetë duke barazuar shifrat në 3-3. Duke ditur që edhe ndeshja e parë përfundoi po në barazim 3-3, sfida shkon në shtesën prej 30 minutash.
Lini një Përgjigje