
Kapiteni i Egnatias, Rafael Duamena, humbi jetën në mënyrë tragjike mesditën e sotme, teksa pësoi një kolaps kardiak, kur ishte në fushë gjatë ndeshjes Egnatia-Partizani. Në minutën e 25, sulmuesi i skuadrës rrogozhinase, u shtri në tokë, për të mos u ngritur më kurrë.
Ndërkohë disa muaj para se të humbiste jetën në mënyrë tragjike, Duamena ka dhënë një intervistë për “Top Channel”, ku ka zbuluar të gjitha detajet e problemeve të tij në zemër, ndërsa ka theksuar se e kishte hequr defibrilatorin e vendosur nga mjekët, pasi sipas tij e pengonte në aktivitetin sportiv, por edhe sepse i shkaktonte panik.
Duamena ka deklaruar se pavarësisht këshillimit nga mjekët për të mos luajtur më futboll, ai vendosi të vazhdonte, pasi ishte jeta e tij.
“U shokova, luaja në atë kohë te Zyrihu dhe kisha të gjithë mjekët aty. U detyrova të kthehesha në shtëpinë time dhe të bëja disa teste mjekësore. Të gjitha këto janë pjesë e sfidave dhe më është dashur të pajtohem me to. Në fillim më vendosën një pajisje që monitoronte rrahjet e zemrës, bëhet fjalë për një sinjal që të godet dhe të tregon gjendjen e zemrës, ajo ishte gjëja më e rëndë që më ndodhi, por unë nuk jam rrëzuar asnjëherë në fushë apo të humbas ndjenjat. Familja ime është në Gana dhe sigurisht ishte e vështirë për ta kur dëgjonin lajme të ndryshme. Unë kisha kohë që isha nën monitorimin e mjekëve dhe më kishin siguruar.
Më pas më pyetën nëse isha në gjendje të mirë për të luajtur dhe unë thashë ‘PO’. Ndërkohë doktorë nga klube të ndryshme apo institucione të ndryshme shpreheshin shpesh se unë nuk duhet të luaja më. Por unë edhe një herë i thashë, “e respektoj vendimin, tuaj por duhet të marr një vendim”. Nuk kam aspak frikë sepse Zoti është me mua. Kur erdha këtu tek Egnatia bëra disa teste mjekësore dhe gjithçka ishte mirë. Unë asnjëherë nuk e lashë futbollin, luaja në mënyrë të vazhdueshme.
Ndoshta për njerëzit normal ka shumë gjëra të pamundura, por për Zotin s’ka gjëra të pamundura. Ai më ka qendruar pranë gjithmonë dhe unë asnjëherë nuk e kam diskutuar nëse do të luaja apo jo futboll. Zoti ka qenë gjithmonë aty për mua dhe unë kam shumë besim tek ai.”
Lini një Përgjigje